Media në Shkup: Franca nuk do ndryshojë qëndrim për negociatat

Mediat në Maqedoni thonë se Franca nuk do të lëvizë nga pozicioni i saj për t’i dhënë dritën jeshile çeljes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.
Parisi, sipas tyre, vazhdon t’i qëndrojë idesë së tij se janë të nevojshme reforma nga vendet kandidate si dhe dëshmi plotësuese për luftën kundër korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit tek të dyja vendet.
Franca gjithashtu ka shtuar si prioritet edhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale si dhe lëndët e kësaj prokurorie, njofton MIA, duke cituar burime diplomatike.
Elizeja po kështu kundërshton zyrtarisht ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces.
Ajo kërkon vlerësim “në paketë” për të dyja vendet.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare edhe diskutojnë sot mbi këtë temë, por vendimi final do të merret në samitin e liderëve të BE-së që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel.