Merkel para nisjes për në Bruksel: Shanset nuk janë shumë të mira

Brexit do të jetë tema qendrore në samitin dyditor të Bashkimit Europian që fillon të enjten në Bruksel. Arritja e një marrëveshjeje në minutën e fundit po kërkohet intensivisht nga të dyja palët.
Megjithëse Brexit nuk qëndronte në axhendën e ditës ai do të sundojë orët e debatit që ishin planifikuar për buxhetin e BE-së për vitet e ardhshme.
Me interes pritet po ashtu se si do të pozicionohen vendet e BE në deklaratën e përbashkët të samitit për Turqinë dhe ofensivën në Siri.
Një temë tjetër në samit është edhe grindja në BE për çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Me veton që vuri Franca në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të martën i ktheu kundër shumë vende anëtare që e kërkojnë çeljen e negociatave.
Kjo temë u diskutua edhe në takimin mes Merkelit dhe Macronit në Tuluzin francez, ministrat e të dy vendeve nënshkruan projekte të përbashkëta në drejtim të politikës së mbrojtjes.
Si Gjermania edhe Franca janë ende duke punuar për të gjetur një pozicion të përbashkët deri në samitin e BE, që duhet të miratohet edhe nga vende të tjera, tha Merkel.
Por në deklaratën qeveritare të enjten në Bundestag, para largimit në Bruksel, Merkel tha: “Më duhet t’iu them se shanset nuk janë shumë të mira.”
Ajo u shpreh sërish pro perspektivës së anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania ndjehet veçanërisht e lidhur me vendet e Ballkanit dhe do t’i afrojë ato me BE, tha ajo. Ne u kemi ofruar ura partnerëve që kishin dyshime, tha Merkel. Në samit ende nuk është e sigurtë një votë unanime.
Në përgjithësi, Merkel e vlerësoi samitin në Bundestag si të pasigurtë në rezultatet e tij. “Nuk mund të them se si do të përfundojë ky samit”, tha ajo, shkruan DW.
Një ditë më parë Merkel i kishte relativizuar pohimet, se mes Gjermanisë dhe Francës ka diferenca të mëdha në drejtim të perspektivës së anëtarësimit të të dy vendeve ballkanike. Të dyja palët e mbështesin perspektivën e anëtarësimit, tha Merkel në Tuluz të mërkurën. Ajo e mbështet madje dëshirën e Francës për një reformim të procesit të anëtarësimit që duhet të jetë transparent dhe i kthyeshëm në rast të zhvillimeve negative. Sipas Merkel, bisedimet e anëtarësimit duhet të fillojnë, kur të sqarohen çështje të caktuara. Por në këtë rrugë “ka disa nuanca të ndryshme”, tha ajo.