“Ndalojnë edhe përgjimin e pushtetarëve”, hyjnë në fuqi ndryshimet mbi përgjimet në Kodin Penal

Në javën e parë të muajit tetor kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, disa prej të cilave janë kritikuar sepse dënojnë deri në 2 vite burg ata që mund të ekspozojnë jetën private të pushtetarëve.

Ndryshimi që ka hyrë në fuqi parashikon:

“Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore apo shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”.

Ndryshimet në Kodin Penal u kthyen për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenca, si të rrezikshme. Kjo e fundit kundërshtoi edhe ndryshimin në fjalë, por mazhoranca e miratoi sërish siç ishte varianti i parë.

Për këtë ndryshim Presidenca ka pohuar:

“Nëse paragrafi i fundit i referohet kryerjes së veprës penale me mënyrat e përcaktuara në paragrafin e parë të nenit të amenduar, atëherë sipas paragrafit të katërt të po këtij neni jemi para rastit klasik, kur mund të krijohen keqkuptime për zbatimin e kësaj dispozite ndaj shtetasve që kanë për detyrë vendosjen e aparaturave dhe regjistrimin e fjalëve, fiksimin e tyre, sipas autorizimit të posaçëm të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim.

Në këto raste, do të duhej të ishte identifikuar qartë qëllimi në kryerjen e veprës penale të sanksionuar në paragrafin e fundit, çka nuk është bërë dhe lë vend për keqpërdorim të këtij parashikimi.

Për më tepër, parashikimet e nenit 3 të ligjit nr. 44/2019, duhet analizuar edhe në raport me nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale, sepse neni 121 të Kodit Penal, siç është aktualisht i pandryshuar, hyn në grupin e atyre veprave penale që ndiqet nga vetë viktima akuzuese e dëmtuar nga kryerja e veprës penale drejtpërdrejt në gjykatë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT