Ndihmoni presidentin Macron

Nga Kristaq Xharo

Zvarritjet dhe kapricot e hapjes së negociatave me BE tashmë janë kthyer në një rezultat skedine. Bastet janë shtuar dhe koeficienti është rritur. Dy lojtarët kryesorë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk po gjykohen më tej për atë çfarë kanë arritur, por për sentimentet e presidentit Macron. Perceptimi ka mbytur gjykimin. Gjyqtarit, Komisionit Europian i kanë hequr çdo autoritet për  garën edhe pasi ka konfirmuar rezultatin. Vendet e BE, që duhej të konfirmonin rezultatin po grinden midis tyre. Tashmë Franca,  Holanda e ndonjë tjetër mund të pranojnë vetëm atë rezultat që pëlqen publiku i vet.

Presidenti Macron, vërtetë, ndodhet në hall. Halli është aq i madh sa ai ju drejtua edhe mbarë opinionit europian. Për vendin të cilit i ngatërroi edhe himnin edhe emrin, ai e ka shumë të vështirë  “ si t’jua shpjegoj popullit francez hapjen e negociatave …”  Ky duket të jetë një hall më i madh se ai i ‘jelek-verdhëve’, për të cilët lëshoi aq shumë sa dhe vetë nuk e kujton fillimin. Ndaj  shpjegimi për popullin francez për hapjen e negociatave me Shqipërinë është hall i pakapërcyeshëm, aq më pak kur është edhe vetëm. Pozicioni ngjason me atë të Stiven Spilbergut te filmi i famshëm  “Ndihmoni ushtarin Rajan…”

Me merakun për t’ju gjendur, sadopak, në hallin që ka zënë, presidentin Macron do ta nisja duke i shpjeguar pak për pozicionin gjeografik të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut  e të Ballkanit Perëndimor.  Ky rajon ndodhet në zemër të Europës, aty ku dikur kalonin të vetmet rrugë prej ku Europa dilte për të takuar pjesën tjetër të botës. Nga të gjitha anët ky rajon rrethohet nga vende që janë brenda Bashkimit Europian.

Në vlerësim gjeopolitik, fuqitë që zotëron ky rajon e që  tremb kaq shumë Europën e Bashkuar e veçanërisht presidentin Macron,  janë minimale dhe vështirë për t’ju referuar.  Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja janë vendet që sot konsiderohen Ballkani Perëndimor.    Së bashku,  popullsia e  gjashtë  vendeve shkon rreth 16 milion banorë,  krahasuar me popullsinë e BE në mbi 516  milionë (pa Britaninë) ose më pak se 3 për qind. Ndërsa vetëm për  Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut popullsia shkon aq sa numri i turistëve që vizitojnë Marsejën.  Sipërfaqja e gjithë rajonit  është më pak se 1 përqind e BE, (182 mijë km katror  krahasuar me 4 milion 422 mijë kilometër katror). Ndërsa, sipërfaqja e Shqipërisë  dhe Maqedonisë së Veriut 20 herë më pak se ajo e Francës dhe 83.4 herë më e vogël se e BE. Pra as rritet as ulet sipërfaqja dhe popullsia, por vetëm plotësohet.

Në vlerësim ekonomik, GDP vjetore e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është  50 miliard dollarë në vit krahasuar me 15.3 trilion dollar ose më pak se 1 për qind (0.003). Ndërsa GDP e Shqipërisë dhe e Maqedonisë është 26 miliardë dollarë ose 5 herë më pak se 1 përqind. Statistikat ndonjëherë vlejnë për të trembur ‘frikën’ e dyndjeve të popullatave nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse do të përmendej thjesht vetëm Shqipëria dhe Maqedonia paniku nuk do të ishte kaq i madh sa halli që ka zënë zotin Macron nga negocimi për Shqipërinë.

Në vështrim historik, Ballkani Perëndimor, emërtesë që evropianët kanë zgjedhur, është  një rajon ku Franca ngriti krijesën e vet Jugosllavinë në 1920, gati para  100 vite. Dihet fati i kësaj krijese, që gati përfundoi si varri i popujve që qëndruan brenda kësaj ngrehine. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe popujt e tjerë ishin në Europë shumë më përpara se të krijohej kjo Europë që sot ndërton mure,  jo për të mbrojtur  ata që janë brenda, por për të larguar më tej ata që ndodhen jashtë.

Në kontekstin e angazhimeve politike, ndoshta halli i zotit Macron mund të reduktohet  nëse i shpjegon  popullit se Franca edhe Shqipëria e tashmë edhe Maqedonia e Veriut ndodhen në të njëjtin front,  krah për krah për të mbrojtur vlerat perëndimore. Ato janë në të gjitha operacionet e NATO-s në frontet më të egra të rreziqeve. Ndoshta mund të kujtoni solidaritetin e flaktë të shqiptarëve me francezët gjatë akteve terroriste.  Dhe ndajnë aty vlerat më të rëndësishme ato për të cilat zoti Macron dhe ne mund të ndjehemi vërtet krenarë e  ku vështirë mund të gjenden dallime.  Por, paradoksalisht distancat vijnë nga ata që na bashkojnë frontet. Dhe, çuditërisht, asnjë nga vendet e BE,   jo anëtare të NATO-s,   nuk ka shprehur rezerva për pranimin e vendit tonë në BE, bile janë mbështetësit më të fuqishëm. NATO dhe BE janë vetëm disa qindra metër larg nga njëra tjetra në Bruksel, por rruga për të mbërritur nga njëra te tjetra  po vazhdon vite e vite larg.

Ndoshta, krahas me Bosnjën, Afganistanin, Kosovën, Mesdheun, ku Franca dhe Shqipëria ka qenë përkrah,  mund  ti kujtoni publikut francez edhe Çadin ku shqiptarët  u angazhuan në disa kontingjente, në operacionin MINURCAT, të drejtuar nga Bashkimi Europian, në periudhën korrik 2008 – korrik 2010, dhe në përbërje të kontingjentit francez.  Paradoksi qëndron te fakti që shqiptarët janë për ju ushtarë të mirë, por jo qytetarë të mirë?

Dhe së fundi, halli që shpreh zoti Macron për mënyrën për ti shpjeguar francezëve negociatat me Shqipërinë, vështirë se mund të zgjidhet nga Shqipëria, pasi shumë pak lidhet me atë. Hallin më të madh duket se ai e ka me veten dhe me komunitetin europian. Për analogji duket se zoti Macron ndodhet në të njëjtën pozicion si babai i republikës franceze gjenerali De Gol, kur u shkëput nga NATO në 1966, për dominimin e aleancës.  Ju desh mbi 40 vjet, francezëve  që të rigjenin pozicionin e tyre në këtë organizatë (2009), në të njëjtën kohë me Shqipërinë.  Ky është hall…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT