Negociatat, Finlanda propozon ndarjen e vendimit për MV nga Shqipëria

Presidenca finlandeze e Bashkimit Evropian propozoi zyrtarisht që vendimi për Maqedoninë e Veriut, të ndahet nga ai për Shqipërinë, në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.
Në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të ditës së sotme në Luksemburg, po diskutohet çështja e fillimit të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Presidenca finlandeze ka dalë me një draft të ri, që lejon që Maqedonia e Veriut të marrë një vendim pozitiv të martën, ndërkaq Shqipërisë do t’i kërkohet të përmbushë kushtet e nevojshme para se të fillojë procesi.
Ky veprim vjen pas Franca ka njoftuar se nuk do të japë pëlqimin e saj për të filluar zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit as me Tiranën as me Shkupin.
Cilido qoftë vendimi i sotëm nga ana e ministrave të BE-së, ai duhet të konfirmohet më pas në një samit të shefave të shteteve ose qeverive, i cili do të zhvillohet në 17-18 tetor në Bruksel.
Franca është kundër për të dy vendet dhe veç reformave “të votuara por që duhen zbatuar” në këto vende, ajo tani po kërkon ndryshimin e gjithë metodologjisë së procesit të zgjerimit.
Gjermania është pro për të dyja.
“BE-ja ka përgjegjësi për paqe, stabilitet, pajtim dhe demokraci në Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të thotë se duhet të mbajmë premtimet tona”, ka thënë ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth.
Hollanda është për një kusht plus për Shkupin dhe shtyrje pa afat për Tiranën.
Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok tha se Shkupit i mjafton miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike.
“Kur të përmbushet ky kusht, mund të nisin bisedimet për çështjen e anëtarësimit (në BE). Kurse sa i përket Shqipërisë, mendojmë se ende duhet të punojnë dhe nuk janë gati”, ka thënë ministri holandez.
Danimarka thotë se “duam të shohim më shumë progres në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe në sundimin e ligjit”.
Po kur mund të hapen negociatat nëse jo këtë tetor?
Franca kërkon që Komisioni Europian të dalë në pranverën e vitit tjetër me një propozim konkret për “ndryshimin e metodologjisë së anëtarësimit”, e pastaj, dikur gjatë vetës, të mund të merret vendimi për nisjen e negociatave.
Nga Komisioni Evropian përgjigjen se metodologjia mund të ndryshohet kurdo, por kjo nuk do të duhej të mbante peng vendimet për nisjen e negociatave.
Hezitimi për të vendosur nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet nga shumë diplomatë si një rrezik për BE-në, e cila po e humb me shpejtësi kredibilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.