“Një qeveri që qan si lugat për të hyrë në Europë, por s’e derdh një pikë loti për fëmijët e saj në Siri”

Në konferencën për shtyp këtë të premte, Edi Rama foli për rastin e një djali të bllokuar në një kamp sirian ku strehohen gra dhe fëmijë të personave të lidhur me ISIS.
Rama u shpreh se kjo nuk është një çështje ambasadash, kjo është një situatë shumë më e komplikuar. Kryeministri theksoi se këtë ia ka sqaruar edhe babait të djalit.
“Unë nuk e kam ndjekur, por më ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje vullneti nga ana jonë apo e ambasadorit. E vërteta është se prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, të cilin nuk mund ta ndaj për publikun, lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë në funksion të organizatës terroriste të ISIS.
Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë sepse i gjithë procesi është tejet i komplikuar. Kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë, ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces.
Dua t’iu them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vende të tjera do të kishin tërhequr individët. Kam komunikuar edhe me babanë e djalit dhe i kam sqaruar se kjo çështje nuk varet nga ne”, tha Rama.
Gazetari i “Le Iene”, Taulant Kopliku në një postim në rrjetet sociale i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama për rastin e të miturit.
Ai është kundërpërgjigjur duke u shprehur se do të verifikohet nëse ambasadori Gent Gazheli e ka ndërprerë misionin për kthimin e të miturit vetë, apo nga presioni kryeminsitror.
“Në realitet emisioni ka faktuar se ambasadori ka premtuar dhe më pas është tërhequr. Për këtë ne si emision jemi të kujdesshëm të dokumentojmë gjithçka. Prandaj pasi të kalojë kjo euforia anti-Makron do të verifikojmë së bashku nëse kishim të bënim me perceptim tonin për vullnetin e ambasadorit, apo vertet një angazhim të tij institucional të ndërprere befasisht dhe çuditshëm nga kushedi çfarë presioni kryeministror”, shkruan Kopliku.
Ai shton: “Këtë se bejmë për të bindur të nderuarin Kryeministër e as per ta lutur më që të sjellë në shtëpi Alvinin dhe femijët e tjerë që janë atje. E bëjmë për të qenë korrekt me dhjetëra mijëra shqiptarët që nga mbrëmë janë befasuar por edhe zemëruar me papërgjegjshmërinë e një qeverie që qan si lugat për të hyrë në Europë por s’e derdh nje pikë loti për fëmijët e saj rrugëve të Sirisë.”