“Nuk ka asnjë dëm tërmeti në pallatin e dupleksit të Bashës”

Teksa kreu i Partisë Demokratike është zhvendosur në një nga zonat më të shtrenjta në Shqipëri për të jetuar në vilat e “Long Hill’ në periferi të Tiranës, partia që ai drejton deklaroi se kjo shpërngulje është e përkohshme për shkak të dëmtimeve që ka pësuar banesa e Bashës nga tërmeti i rënë më 21 shtator.
Por kjo deklaratë e Partisë Demokratike hidhet poshtë nga Bashkia e Tiranës.
Zëdhënës të bashkisë bëjnë me dije se tek banesa e familjes Basha tek Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa, nuk është bërë asnjë lloj raportimi për dëme nga tërmeti i 21 shatorit.
Bashkia thotë gjithashtu se Basha nuk ka marrë asnjë aplikim për leje punimesh apo rregullimesh për shkak të tërmetit të rënë disa javë më parë.
“Teksa dihet publikisht qe z. Basha ka ndertuar pa leje kate shtese ne pallatin e tij, në NJA nr. 2, as diten e termetit e as sot nuk eshte deklaruar asnje dem. Per me teper, Administratori i Nj. 2 as nuk ka marre aplikim per punime meremetimesh nga termeti e kesisoj, as nuk ka dhene nje leje te panevojshme e te pakerkuar nga familja Basha.” thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës për mediat.
Me anë të një kërkimi të thjeshtë tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në zonën ku është shpërngulur Basha kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj.
Vilat në këto zonë janë kryesisht dy katëshe, me pishinë dhe në këtë zonë jetojnë diplomatë, bankierë dhe personazhe të njohura të biznesit.
Basha është zhvendosur aty javën e kaluar, por ra në sy pasi me ardhjen e tij në zonë u rritën papritur masat e sigurisë.
Ky kompleks është ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i cili është akuzuar nga PD-ja si oligark pranë Ramës.