“Nuk ka lidhje fare me ne, është problemi te elektorati francez”

Kryeministri Edi Rama beson deri në minutën e fundit se Shqipërisë mund t’i hapen negociatat. Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se dera nuk është mbyllur, pasi debati mes liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel vijon dhe se nesër paradite do të thonë fjalën e fundit.

“Gjermania dhe një front i gjerë që mbron idenë se duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy a tre vende që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar por duhet një qasje e re. Jemi në kushtet ku as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut dhe as gjë nga ato që kemi bërë apo duhet të bëjmë akoma, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet në tryezën e Këshillit Evropian.

Fjala e fundit akoma nuk është thënë do të thuhet nesër paradite. Diskutimi vijon edhe pse qëndrimi i Presidentit francez lë pak dritë, por nuk do të thotë se mbyll derën njëherë e mirë”. 

Por a ka realisht shpresa për nesër?

“Përderisa debati në Këshillin e Europës tani që flasim, zhvillohet për këtë çështje do të thotë se nuk ka një përfundim akoma. Gjithçka që kemi bërë edhe pasnesër lidhet me atë që duam për vendin tonë”, tha ai për Open.

Gjithashtu kryeministri rrëfen bisedën me Presidentin e Francës lidhur me këtë çështje.

“Nuk e di çfarë prisni ju, kur ai i flet elektoratit francez në funksion të asaj që lidhet me ata. Nuk ka lidhje fare dhe këtë ia kam thënë, liberalizimi i vizave me negociatat. Ky është një qëndrim që nuk ka lidhje fare me çështjen e liberalizimit të vizave dhe negociatat.

Çështja e azilantëve që stërzmadhohet në Francë ka të bëjë me regjimin e trajtimit e atyre që kërkojnë azil. Shqiptarët kërkojnë azil politik për arsye ekonomike. Këtë problem e kishte Gjermania, por duke krijuar një regjim trajtimi shumë më të shpejtë ka rënë në minimum. Është e padrejtë që Shqipërisë ti kërkohet të mbyllë kufijtë e vet”, tha ai.

Më pas Rama u ndal te dy kushtet e Berlinit, ngritja e gjykatave dhe Reforma Zgjedhore.

“Reforma Zgjedhore dhe plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut. Reforma Zgjedhore do të kryhet deri nga Dhjetori sipas rekomandimeve të OSBE-së me apo pa PD-në apo opozitën jashtë parlamentare. Plotësimi i gjykatës Kushtetuese apo SPAK brenda vitit apo deri në fillim të vitit të tjetër, se nuk janë në dorën e qeverisë”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT