“Pakti për Universitetin”, ministrja publikon gjetjet: 52% e studentëve të pakënaqur

Sondazhi i zhvilluar në kuadër të “Paktit për Universitetin”, thotë se 52% e studentëve janë shprehur se institucionet ku ata studiojnë nuk i kanë plotësuar pritshmëritë e tyre”, 45% e studentëve kanë deklaruar se nuk janë zhvilluar rregullisht pyetësorë për cilësinë e mësimdhënies.
Në profilin e saj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka publikuar disa prej gjetjeve nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS) të zhvilluar në periudhën Prill – Maj, 2019.
Sondazhi kishte për qëllim kryesor mbledhjen e opinionit të studentëve mbi 6 çështje kryesore si: organizimi i institucionit; burimet e institucionit; kurrikulat dhe përmbajtja; mësimdhënia dhe mësimnxënia; aktiviteti kërkimor dhe mbështetja ndaj studentëve.
Sipas njoftimit nga Ministrja Shahini, janë mbi 89 mijë pyetësorë të dërguar ndaj studentëve, ku vërehet se niveli i plotësimit të tyre në nivel kombëtar është 31.2%.
Sipas sondazhit të publikuar nga ministrja Shahini, 52% e studentëve shprehen se institucionet ku studiojnë nuk i plotësojnë pritshmëritë e tyre.
66% e studentëve thonë se personeli akademik është kompetent në shpjegimin e njohurive, ndërsa 55% tyre shprehen se infrastruktura mbështetëse është e pamjaftueshme.