Pasaportat e vonuara në Konsullatën e Mynihut, reagon MEPJ: Faji i postës gjermane, kemi bërë denoncim

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me artikullin mbi vonesat e pajisjes me pasaportë të shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar në Konsullatën e Mynihut.
Aplikantët kanë telefonuar dje në redaksi dhe kanë shprehur shqetësimin se aplikimet janë bërë që në gusht dhe pasaportat nuk janë dhënë ende duke shkaktuar pasoja në planet familjare të udhëtimeve dhe dëme të tjera.
Artikulli mund të lexohet duke klikuar KËTU
Ndërkohë më poshtë, sqarimi i Ministrisë, dërguar sot në redaksi:
Sqarim i MEPJ për gazetën “Dita” në lidhje me artikullin, “Kemi aplikuar që në 19 gusht”. 200 shqiptarë në Mynih peng i zvarritjeve, nuk u jepen pasaportat”
Lidhur me artikullin e botuar ne Gazetën, “Dita”, me titull: “Kemi aplikuar që në 19 gusht”. 200 shqiptarë në Mynih peng i zvarritjeve, nuk u jepen pasaportat”, botuar në datën 10 tetor 2019, ju info dje rmojmë se: Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih, kanë aplikuar për pasaportë shtetasit shqiptarë, për të cilët bën fjalë ky artikull.
Sipas rregullave ligjore në fuqi, aplikimet e qytetarëve shqiptarë në datën 22 gusht 2019, Konsullata i ka depozituar në postën gjermane me destinacion Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Tiranë, Shqipëri.
Dërgesa është bërë me “DHL Paket International Premium“, dhe posta gjermane ka pajisur Konsullatën me numrin e dërgesës përkatëse.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e Konsullatës dhe në komunikim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, rezultoi që dërgesa ende nuk kishte mbërritur në MEPJ. Për këtë arsye, në datën 13 shtator 2019, i është bërë kërkesë postës gjermane, për të pasur informacion specifik mbi vonesën e dërgesës.
Kjo e fundit, pas verifikimeve të kryera, ka kthyer përgjigje përfundimtare në datën 03 tetor 2019 ku ka sqaruar se kjo paketë ka humbur dhe për humbjen e saj, ka kryer edhe dëmshpërblimin.
Pas kësaj, Konsullata ka kryer “denoncimin” për humbjen e paketës në Policinë e Mynihut.
Konsullata ka njoftuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Brendshme dhe Kompaninë Aleat, për marrjen e vendimit, zgjidhjen e rastit dhe fillimin e prodhimit të pasaportave.
Për të qetësuar qytetarët për vonesat në prodhimin e pasaportave, Konsullata u ka dërguar email të gjithë qytetarëve aplikues si dhe u ka dhënë informacion në telefon për incidentin nga ana e postës gjermane.
Zgjidhja është realizuar në një kohë të shpejtë nga autoritetet vendim-marrëse shqiptare për prodhimin dhe më pas, dërgimin e pasaportave për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani.
Lutemi publikimin e sqarimit të MEPJ për ngjarjen e botuar nga gazeta juaj.