Peter Handke: Nuk kam bërë faj që shkova në varrimin e Millosheviçit. Pedagogia shqiptare: Kush jemi ne që ta gjykojmë atë?

Shkrimtari 76-vjeçar, Peter Handke, që u shpall fitues i çmimit Nobel për këtë vit, ka dhënë një intervistë, ku flet për polemikat që u shkaktuan pas marrjes së çmimit nga ai.

Kjo, për faktin se Handke ka mbrojtur krimet e Milosheviçit.

Ju u sulmuat edhe për faktin se morët pjesë në funeralin e liderit nacionalist serb, Slobodan Millosheviç, kur u nda nga jeta në 2006-ën… 

Është ky një krim? Nuk e besoj. E përsëris: unë flas si shkrimtar, është kjo natyra ime. Mund të tentoj ta ndryshoj natyrën time, e provoj këtë çdo ditë, por nuk është e lehtë t’ia dalësh mbanë. Megjithatë, preferoj të mos flas më rreth kësaj çështjeje.

Po tani, si ndiheni? 

Si shkrimtar kam lindur fajtor. Sot, në këtë moment, nuk ndihem më  në faj. Ndihem i lirë. Ndoshta pas disa orësh do rikthehem në botën time epike, atë të Faulkner që më ka dhënë krahë në moshën 16-vjeçare, në botën e Homerit, të Servantes, te tregimet mbi të gjitha, ose te shkrimtarët austriakë si Adalbert Stifter, Heimito von Doderer dhe Ivo Andric.

Kohë më parë keni kërkuar shfuqizimin e Nobelit për Letërsinë, duke e përshkruar si një “kurorëzim të rremë”. Keni ndryshuar mendim? 

Akademikët janë vetëkorrigjuar, apo jo? Ndoshta tani do të vijojnë në rrugën e duhur. Kur kritikova Çmimin Nobel, nuk flisja si autor, por si lexues. Ekzistenca ime është e kyçur në letërsi. Ndihem në vendin e duhur kur filloj të lexoj, të deshifroj, të gjej fjalët. Çdo mëngjes kaloj orë të tëra duke lexuar vargje të Pindarit e të autorëve të tjerë antikë grekë. Më bën mirë për kokën dhe zemrën.

Si do të festoni?

Ende nuk e di. Do të doja të pija një verë të mirë, ndoshta një ‘chardonnay’, por deri më tani nuk kam ngrënë asgjë. Nuk kam uri.

Do të shkoni në Stokholm? 

Në moshën time, udhëtimet janë gjithmonë të lodhshme, por në këtë rast më duket e detyrueshme të shkoj. Në botën e sotme, letërsia po humbet kuptimin e saj, por jo për fajin tim. Jam i bindur se në fund letërsia fiton gjithmonë.

Përse keni vendosur të qëndroni në Francë? 

Ka qenë rastësore. E kam gjetur këtë shtëpi 30 vite më parë, kur mendoja të transferohesha në Spanjë. Në fund, qëndrova këtu. Kur kam qenë i ri kisha një qasje të fortë me vendet, tashmë ndiej se nuk i përkas asnjë vendi. Siç thoshte Simone Weil, është e neveritshme kur dikush tenton të çrrënjosë dikë, por të vetëçrrënjosesh është një domosdoshmëri.

Çfarë do të bëni me paratë që Akademia e Nobelit do të derdhë në llogarinë tuaj?

Ah, çfarë pyetjeje! Kur isha i ri pëlqeja një këngë të Ray Davies të Kinks, që përmbante një frazë të tillë: ‘Ka shumë konfuzion në kokën time, mos më pyesni për paratë tani’.

Si do të jetoni pas Nobelit? 

Do bëj sikur s’ka ndodhur asgjë. Është një nga rregullat më të zakonshme të jetës: Të bësh sikur s’ka ndodhur asgjë. Dua të vazhdoj të shkruaj. Mund të parafrazoj Ibsenin, kur thotë se “ka akoma shumë shigjeta në harkun tim”. Por nuk dua ta them, sepse Ibsen u nda nga jeta pasi e tha. Kam ende shumë për të thënë, për të ritmuar, për të imagjinuar…

Ndërkohë, pedagogia Jonila Godole, që mediat e prezantojnë si studiuese, thotë se ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë atë, pavarësisht se Handke ka mbrojtur krimet e Milosheviçit, i cili vrau mijëra shqiptarë.

“Gjithçka që ndodhi dhe pse u bë ky skandal ishte çmimi Nobel.

Po nuk duhet ta ekzagjerojmë, ai është dhënë personave që e kanë merituar dhe ata që nuk e kanë merituar, e kanë marrë persona që kanë qenë në modë në atë kohë dhe më vonë nuk kanë qenë më.

Ky është thjeshtë një çmim, kur çmimin Nobel nuk e ka marrë një listë autorësh që janë në thelb ata letërsia vetë, nuk do t’i jepja kaq shumë rëndësi një çmimi.

Atij si person, do të thosha, kush jemi ne që gjykojmë të tjerët”?

Ai ka shkruar pa fund dhe për aq sa e njoh veprën e tij, mendoj që janë shumë cilësore dhe nëse nuk e do e kishte pasur këtë rrëshqitje të pafalshme, ai do ta kishte marrë këtë çmim shumë më përpara.

Pse e ka bërë ai këtë? Njeriu është një qenie e çuditshme, ndodh të futesh në skuta të errëta, me të ka ndodhur diçka në prishjen e ish-Jugosllavisë.

Pse ai ka qenë kaq shumë i lidhur me Serbinë, kjo është një gjë që do të na mbetet e pakuptueshme.

Ai do të ngeli një figurë më shumë me hije se me dritë, por mendoj se duhet të jemi të hapur dhe ta lexojmë atë që ka shkuar dhe secili le të mbajë atë qëndrimin e tij”, tha Godole.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT