Plani për uljen e përdorimit të “cash”

Sipas llogarive të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, kostoja e përdorimit të gjerë të parave “cash” është pak më shumë se 1% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, me një vlerë prej 175 milionë dollarësh.
Në mbledhjen e Komitetit të Sistemit të Pagave, u bë me dije se një numër hapash do të ndërmerren në mënyrë që përdorimi i shërbimeve bankare të rritet.
Guvernatori i BSH, Gent Sejko njoftoi se së shpejti do të miratohet ligji për shërbimet e pagesave, i cili do të zhdukë barrierat dhe do të ulë ndjeshëm kostot e transaksioneve me vlerë të vogël.
Ai u shpreh: “Në terma konkretë, ky projektligj vlerësohet të nxisë ndjeshëm konkurrencën në treg, duke dhënë një kontribut thelbësor për krijimin e shërbimeve financiare me kosto të ulëta dhe lehtësisht të aksesueshme nga publiku i gjerë.”
Ministrja e Financave Anila Denaj theksoi se përdorimi i parasë “cash” në ekonomi krijon vështirësi edhe në punën e administratës tatimore dhe luftën kundër informalitetit. Ajo sqaroi se, përveç nismës së fiskalimizimit, qeveria do të zhvillojë një projekt, i cili do të sigurojë informacion nga transaksionet e biznesit në kohë reale, pa qenë nevoja që të jetë prania fizike e inspektorit te ndërmarrja private.
Ministrja tha:“Aktualisht nëpërmjet këtij formati ne synojmë që transaksionet që vijnë në kohë reale të kenë mundësinë të përpunohen në mënyrë më inteligjente dhe procesi të shoqërohet me një trajnim të vazhdueshëm për 1 vit e gjysmë të të gjithë inspektorëve të rinj në formë që ata të bëjnë të mundur zbulimin e evazionit pa qenë nevoja për të vizituar biznesin.”
Në mbledhjen e Komitetit të Sistemit të Pagesave u diskutua edhe nisma e qeverisë e njohur si fiskalizimi, e cila krijon faturën elektronike dhe mundëson raportimin e biznesit në kohë reale, por edhe vendos limite të parave “cash” që mban një biznes./Klan