Reforma Zgjedhore, OSBE: Ne nuk marrim vendime në emrin tuaj

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger gjatë kësaj të premteje në Tiranë, ku fokusi i vizitës duket se ka qenë reforma zgjedhore, është takuar edhe me ministrin e jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Në konferencën e përbashkët për media me Cakajn, Greminger, që ditën e sotme takoi edhe përfaqësues të opozitës joparlamentare, u shpreh se:

“OSBE mund të lehtësojë dialogun mes palëve, por nuk mund të marrë vendime politike”.

Ai tha: “U kam thënë të gjitha bashkëbiseduesve të mi se çfarë OSBE mund dhe nuk mund të bëjë. OSBE në thelb mund të bëjë tre gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Këtë mund të bëjmë. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht. Ajo që nuk mund të bëjmë është të zgjedhim sistemin që ky vend dëshiron, por mund të sjellim ekspertizë e të lehtësojmë dialogun”.

Greminger iu përgjigj gjithashtu interesit të medias në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndarjen e reformës zgjedhore në dy faza.

Ai shtoi:

“Po sigurisht jam i vetëdijshëm që ka dy aspekte. Ajo që konsiderohet si reformë elektorale, ka kundërshti sa i përket rekomandimeve se si duhen implementuar ka diskutime mbi sistemin elektoral, nuk është në dorën tonë, kjo është në dorën e aktorëve politikë të këtij vendi për të mbështetur procese të tilla”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT