Rezoluta antiruse në parlamentin shqiptar, Rusia: Trillim mitik

Ambasada ruse në Tiranë thotë se rezoluta e propozuar nga mazhoranca kundër ndërhyrjeve të huaja në proceset elektorale dhe keqinformimet në proceset demokratike shqiptare është trillim mitik për të justifikuar përplasjet e brendshme në politikën shqiptare.
“Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse në Tiranë.
Në të njëjtin reagim, rusët hamendësojnë se rezoluta është edhe produkt i ndërhyrjes së ambasadës amerikane në punët e brendshme të Shqipërisë.