Richard Grenell, i dërguari i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori i SHBA në Gjermani, Richard Grenell do të jetë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë Serbi.
Sipas njoftimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, Grenell, i cili do të vazhdojë edhe detyrën e ambasadorit në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Për këtë vendim reaguan një sërë figurash politike në Kosovë dhe në BE.
Zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç u shpreh se Bashkimi Evropian po punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
Ajo tha: “SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”.
Vendimi për emërimin e Grenell u mirëprit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një postimi në Tëitter u shpreh se do të bashkëpunojë me të për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj mirëpriti emërimin e ambasadorit Grenell si i dërguar i SHBA-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të punojnë “bashkë për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Tëitter, u shpreh se emërimi i Grenell, tregon përkushtimin e qeverisë amerikane për një përparim të shpejt drejt një të ardhme paqësore për rajonin.
Nga ana tjetër, ministrja për integrimi europian e Serbisë, Jadranka Joksimoviç u shpreh se do të shihej se çfarë Grenell do t’i sillte këtij procesi, duke e quajtur atë një njeri serioz.
Joksimoviç shtoi se edhe pas këtij emërimi, formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk ndryshonte dhe mbetej nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Ministrja shtoi se ky emërim “tregon interesin e shtuar të SHBA-së”.