Sa më shumë gjoba në rrugë, zbulohet urdhëri sekret i Policisë

Treguesit ekononomikë në zërin të “ardhura jotatimore” kanë krijuar një gropë të madhe financiare dhe në pamundësi ligjore për të rritur çmimet e shërbimeve të ndryshme për qytetarët, është gjetur një taktikë tjetër, që po zbatohet nga Policia Rrugore.
Përmes një urdhri sekret, që ka mbërritur në zyrat e drejtuesve të Policisë rrugore kërkohet që të shtohen patrullimet në akset rrugore kryesore e dytësore. Gjithashtu kërkohet që të gjobiten me shumën jo më pak se 1 mijë lekë të reja të gjithë kundravajtësit edhe në rast se këto kundravajtje nuk janë të parashikueshme në Kodin Rrugor.
Në rrugët nacionale gjobitja është kthyer në qëllim kryesor. Të gjitha automjetet që kalojnë në rrugët kombëtare gjobiten për shpejtësi, edhe pse vetë drejtuesit këmbëngulin dhe në disa raste ka pasur edhe debate se shpejtësia ka qenë në normat e lejuara.
Madje, ka zëra që për patrullat e policisë rrugore është vënë edhe një kuotë që duhet plotësuar gjatë orarit të tyre të shërbimit. Në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Elbasan rrugorët po bëjnë “namin” me vendosjen e gjobave edhe në rrugët, ku dikur lejohej parkimi.
Të tjerë thonë se gjatë natës janë vendosur edhe tabela të përkohshme në rrugë dytësore për të justifikuar vendosjen e gjobave, sikurse është edhe kjo në foton që shoqëron këtë shkrim. Bëhet fjalë për një tabelë në një lagje në rrugën “Shkëlqim Fusha”, e cila pasi qëndroi për më shumë se një muaj dhe që u kthye në shqetësim për banorët. Këta të fundit u gjobitën disa herë dhe Bashkia vendosi heqjen e saj, si të paligjshme.
Sipas burimeve ky urdhër do të jetë në fuqi të paktën deri në fund të vitit. Shumë drejtues as e marrin mundimin t’u drejtohen gjykatave për këtë lloj padrejtësie. Kjo për shkak se do sorrollaten pafund dhe nuk dihet nëse do të mund të dalin apo jo fitues.