Sali Berisha rrëmbeu dhe zhduku Remzi Hoxhën, djali i tij betohet për hakmarrje me Kanun (VIDEO)

Biznesmeni shqiptaro-maqedonas u rrëmbye 24 vite më parë me urdhër të ish presidentit Berisha nga SHIK-u i Gazidedes, dhe u dërgua në Kune Vain-Lezhë. Nga torturat ekstreme ai vdiq në duart e oficerëve të SHIK, pasi nuk tregoi ku kishte fshehur kasetën e regjistrimit të takimit Milosheviç-Berisha-Gligorov në Shën Naum. Trupi i Remzi Hoxhës është zhdukur që më 1995, ndërsa familja kërkon deri në dëshpërim një varr për njeriun e tyre. Ardian Hoxha kërcënon me hakmarrje ekstreme
Sali Berisha gjendet nën presionin e familjeve të viktimave të shumta që ka shkaktuar gjatë gjithë qeverisjes së tij me dorë të hekurt, në këto afër 3 vite post-komunizëm.
Një ndër këto familje është dhe ajo e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i zhdukur 24 vite më parë në mënyrë misterioze, pas rrëmbimit që SHIK-u i Gazidedes i bëri në Tiranë, me urdhër të presidentit të asaj kohe Sali Berisha, për ta dërguar në Kune Vain- Lezhë dhe vënë nën torturë.
Një seancë e stërgjatur pyetjesh, ushtrim ekstrem dhune për ta detyruar se ku e kishte fshehur kasetën me regjistrimin e takimit të Sali Berishës me ish presidentin serb Sllobodan Milosheviç dhe atë maqedonas Kiro Gligorov në Shën Naum.
Mos-hapja e gojës, i ka kushtuar atij humbjen e jetës në duart e oficerëve të SHIK dhe këtë e thonë dhe Abdyl Lloshaj dhe Ziso Kristopuli, dhe këta të rrëmbyer në të njejtën ditë nga oficerët e SHIK dhe dërguar po në Kune Vain, por që fati u kishte rezervuar shpëtimin e jetës.
Që nga viti 1995 familjarët e tij nuk e dinë se ku i ka eshtrat Remzi Hoxha, ndërkohë që janë hetuar dhe gjykuar nga Krimet e Rënda pa asnjë rezultat, oficerët e shërbimit të fshehtë shqiptar, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçaj.
Në kulmin e dëshpërimit, 24 vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, i biri vazhdon të kërkojë drejtësi nga shteti shqiptar. Ndërkohë që Ardian Hoxha thotë se po pret ende Ramën, ai paralajmëron se në të kundërt, e vetmja rrugë që i mbetet, është Kanuni.
Dhe Sali Berisha e di fort mirë se çdo të thotë një hakmarrje me Kanun, pasi vjen nga ato zona, madje ka pasur “luksin” që të kërcënojë dhe kundërshtarët e tij pikërisht me këtë ligj të pashkruar, me të cilin rregulloheshin punët në Shqipëri që nga Mesjeta e deri sot.
“Rama ka ende kohë deri në fund të mandatit të tij dhe neve shpresa nuk na shuhet kurrë, por me sa duket as ai e as bashkëpartiakët e tij nuk kanë ndërmend të bëjnë asgjë, përveç se kur të dalin në opozitë të mundohen të hedhin gurë mbi Sali Berishën.
Uroj që z. Rama të mos i bashkëngjitet klubit të Sali Berishës e Fatos Nanos që nuk kanë bërë asgjë rreth zbardhjes së rastit tonë. Unë isha 14 vjeç kur zhdukën babain tim. Takimi i fundit me të ishte ditën e premte kur më çoi në shkollë me veturë, pra datën 20 tetor, dhe prej asaj dite nuk e kam parë më.
Vdekja e babës është shumë e rëndë, por të mos dish se ku e ka trupin e ku e ka varrin është ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Në ditën e sotme unë po filloj të mendoj se e gjithë kjo është një shfaqje teatrale dhe të gjithë liderët politik në Shqipëri janë në fakt miq të ngushtë, siç edhe doli që Fatos Nano të ishte mik shumë i mirë i Sali Berishës.
Nëse edhe z. Rama nuk e zbardh këtë rast i bie që edhe ai po e mbron Sali Berishën. Të presim edhe pak dhe koha le ta tregojë a është z. Rama i interesuar të luftojë krimin apo e ka vetëm për shoë mediatik të “kazanëve.
Edhe vetëm se baba do e meritonte angazhimin deri në zbardhjen e rastit, dhe fakti se babai im ishte një burrë i madh dhe figurë shumë e rëndësishme në çlirimin e Kosovës, kjo na bën që të mos ndalemi deri në burrin e fundit të familjes Hoxha.
Ne jemi shprehur që edhe Kanuni është si opsion, por akoma kemi besim se institucionet do angazhohen në zbardhjen e rastit”, thotë djali i Remzi Hoxhës, i cili ka humbur shpresën tek angazhimi i shtetit shqiptar, ku kryeministrat shkojnë e vijnë, ndërsa babai i tij mbetet ende i zhdukur dhe pa një varr.
Më se njëherë familjarët e Remzi Hoxhës kanë bërë thirrje që të gjenden sëpaku eshtrat e tij, në mënyrë që t’i japin një varr kryefamiljarit të tyre, të kenë ku ta qajnë dhe ku të vendosin një buqetë me lule në çdo përvjetor.
Me sa duket rruga e vetme ka mbetur vetëgjyqësia me Kanun, dhe në krye të listës së ndëshkimit shembullor pritet të jetë Sali Berisha, i ndjekur nga ish oficerët e SHIK-ut dhe gjithkush që ka marrë pjesë në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Remzi Hoxhës, 24 vite më parë.