Zgjedhjet në Kosovë, votojnë kandidatët për kryeministër

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka qenë politikani i parë, i cili i ka votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen në Kosovë.
Veseli ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Pas votimit, kandidati për kryeministër nën siglën e PDK-së, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme këtë ditë.
“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, për hajër na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.
Kreu i AAK dhe pretendenti për kryeministër, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar për zgjedhjet.
“Edhe ne votuam. I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Lëvizjes VetëVendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka votuar.
“Sot është një ditë e veçantë, të gjitha partive u përgjigjet populli. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur, i varfër, nga qyteti ose jo, të gjithë jemi të barabartë. U bëj thirrje të gjithë qutetarëve ta shfrytëzojnë këtë shans unik për karakterin dhe të jashtëzakonshëm për nga pesha. Të presim në orët e mbrëmjes që votimin masiv ta shndërrojmë në një festë masive”, u shpreh Albin Kurti.
Kutive të votimit iu drejtua edhe kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani e cila bëri thirrje që qytetarët të lihen të votojnë të lirë dhe të mos indimidohen. Osmani la të kuptohet se në disa qendra votimi mund të ketë incidente, për të cilën paralajmëroi se do të flitet në një konferencë për shtyp.
“Thirrja është për të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij vendimi historik dhe vendimmarrëse për Kosovën. Përmes një procesi të lirë dhe demokratik, Kosova do të ketë arsye për të festuar. Qytetarët të jenë të lirë të hedhin votën e tyre dhe të mos indimidohen.” tha Osmani.



