A e zëvendëson ‘Mini-Shengeni Ballkanik’ procesin e anëtarësimit në BE?

Mini-Shengeni është “zëvendësuesi” i mungesës së angazhimit të BE-së “, “Iniciativa ngadalëson procesin e integrimit në BE “,” Mini-Shengeni po krijon Jugosllavinë e re “; tituj të tillë kanë shpërthyer ngado javët e kaluara.
Kritikët e iniciativës, thotë Emina Muminovic, kanë paralajmëruar se një nismë e tillë vetëm sa do t`i shkëpuste vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvendosë fokusin larg zhgënjimit që shkaktoi shtyrja e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Disa prej tyre madje shkuan shumë thellë, duke pretenduar se bëhet fjalë “për një mashtrim të lirë politik që do të dukej mirë vetëm në letër”. Sidoqoftë, ekspertë të tjerë besojnë se nisma e Mini-Shengenit nuk ka ndonjë ndikim negativ në pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, e madje thonë se ai shkon paralel me procesin.
“Një nga kushtet për vendet kandidate dhe ato me potencialin për kandidate është krijimi i një bashkëpunimi efektiv rajonal përpara se të anëtarësohen në Bllokun Europian. Pikërisht këtë gjë e bën Mini-Shengeni”, tha për europeanwesternbalkans Srđan Cvijić, analist politik prane Institutit të Politikës Europiane për Shoqërinë e Hapur dhe anëtar i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG).
Cvijić megjithatë shton se duhet bërë më shumë kur vjen fjala tek zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilateriale mes shteteve te rajonit. Pozitivisht e sheh këtë iniciativë edhe profesori i Universitetit të Grazit Florian Bieber, i cili thekson se Mini-Shengen është një nismë e mirë, e “zor të shihet ndonjë gjë e keqe në lidhje me të”.
Duke kujtuar megjithatë, faktin që Kosova ka mbetur jashtë kësaj kornize, Bieber këmbëngul se që marrëveshja të ketë vërtet impakt, në të duhet të përfshihen të gjitha vendet e rajonit.