Apel europian për krizën politike në Shqipëri/ KiE: Kundër bojkotit dhe djegies së mandateven

Pas një vizite në Tiranë, bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për monitorimin e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O’Reilly (Irlandë, EPP / CD), u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri të tregojnë vullnet politik për të zgjidhur krizën sistemike politike që ka pllakosur vendin.
“Ne ritheksojmë qëndrimin tonë se Parlamenti është forumi për dialog dhe diskutim politik dhe për këtë arsye bojkotimet dhe djegia e mandateve nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, mazhoranca duhet të angazhohet në dialog të mirëfilltë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat po përballet vendi”, janë shprehur dy bashkëraportuesit për Shqipërinë të cituar nga Ora Neës.
Për më tepër, ata nxisin të gjitha forcat politike që të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionin dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend. Ata mirëpritën opinionin e fundit të Komisionit të Venecias për “fuqinë” e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve, i cili thotë qartë se megjithëse Presidenti “mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale pa një bazë të veçantë ligjore” kjo, sipas këndvështrimit të tij, nuk e garanton gjykimin e Presidentit.
Sipas tyre, Reforma Zgjedhore e ndjekur nga zgjedhjet mund të jetë thelbësore për tejkalimin e krizës politike. Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të përfshihen plotësisht në procesin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që të adresojnë mangësitë e shënuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, dhe të vendosin një herë e përgjithmonë një kornizë për zgjedhje demokratike.
Bashkëraportuesit shprehën shqetësimin se më shumë se një vit pas fillimit të procesit institucionet kryesore gjyqësore si Gjykatat e Larta dhe Kushtetuese si dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit janë ende vakante. Ata presin që deri në fund të këtij viti ky problem të zgjidhet.