Blendi Fevziu: Stërgjyshi im ka marrë pjesë në vrasjen e Esat Toptanin, ndërsa unë ngjaj me Abdyl Ypin

Blendi Fevziu ka bërë një libër të ri, ku ndër të tjera flet edhe për gjyshët dhe stërgjyshët e shumtë të tij.

Më poshtë poi u sjellim një pjesë të një interviste që Fevziu ka dhënë për “GSH”.

– Personazhe politikë dhe historikë, nga Toptanët në zë, si Refiku te Esati e Zogu, e te Bajram Fevziu që ju vetë duket se e njihni përmes dokumenteve tek shkruani. Si ka qenë ‘takimi’ me këta personazhe tashmë jo si gazetar, por si pinjoll e njeri i lidhur përmes gjakut me ta? Si të thuash si një prej tyre?

Lidhje gjaku kam me Refik Toptanin dhe Bajram Fevziun, ose Abdyl Ypin. Me Esat Pashën dhe Zogun nuk ka lidhje familjare. Por ata vërtiteshin në po atë hapësirë ku ishin edhe të parët e mi. Natyrisht, rrëfimet familjare janë emocionale. Çdo gjë që vinte nga familja e quanin të drejtë, çdo gjë që kishte qenë kundër familjes, të gabuar. Duke u përballur me dokumentet zbulova që nuk ishte kështu. Për shembull, ata nuk e duronin dot Zogun dhe e bënin atë përgjegjës për shumë gjëra, por dokumentet historike tregojnë në shumë raste që pikërisht Zogu dhe jo të parët e mi kishin të drejtë.

– Një figurë që e ritakoj në librin tuaj është Haxhi Qamili. Pas shumë debateve edhe historike edhe ideologjike për të, ai rivjen në librin tuaj përmes ‘dy takimeve’ që ka me Toptanët, si ‘shërbëtor’ dhe si ‘përndjekës’. Si është kjo histori?

Histori e njohur kjo tashmë. Haxhi Qamili dhe frymëzuesit e tij kërkonin të rikthenin Shqipërinë e porsa pavarësuar në Perandorinë Osmane. Ose minimalisht në një monarki me një princ osman. Vetëm në kohën e komunizmit pati disa qëndrime kontradiktore për të, përfshi vlerësimin. Historiografia sot e ka kapërcyer këtë problem. Ai kishte qenë shërbëtor i Refik Toptanit, por qe larguar në një moment kur tregoi lëkundje mendore. Më pas ai nuk pati problem me Toptanasit, që janë fis shumë i madh, por me Refik dhe Murat Toptanin që kishin marrë pjesë në pavarësinë e vendit dhe visheshin si europianë. Kur dogji shtëpitë e tyre, mori masa që zjarri të mos kalonte në shtëpitë e toptanasve të tjerë që ishin ende miqësorë me perandorinë osmane.

– Kam gjetur edhe përndjekjen komuniste në rrëfimin tuaj. Sa është vuajtur kjo te ju? Që nga takimi i vonë me Lisin në New York edhe me konteshën Izabel në Vjenë?

Komunizmi nuk përndoqi disa emra, por një klasë të tërë. Për këtë arsye mbështetej tek lufta e klasave. Unë nuk e kam ndjerë shumë, sepse linda dhe u rrita deri student në atë kohë. Nuk e dija ç’do të thoshte të jetoje ndryshe dhe në një botë të lirë. Por paraardhësit e mi, që kishin jetuar gjysmën e jetës pa komunizëm dhe të lirë, padyshim që e vuanin atë.

– Mustafa Kruja si një ndër organizatorët e vrasjes së Abdyl Ypit. Si i sheh një gazetar ose një autor libri personazhet historikë kur diku rrugët e tyre kanë pikëtakime jo të këndshme?

Histori e gjatë kjo. E gjen edhe në librat e historisë së Shqipërisë. Nuk ishte e vetmja vrasje politike e kohës. Pothuajse të gjithë protagonistët politikë qenë përfshirë në to. P.sh, Bajram Fevziu, stërgjyshi im del i lidhur me vrasjen e Esat Pashës. Atentati dhe eliminimi fizik ishte një nga mënyrat politikëbërëse të kohës, jo vetëm në Shqipëri.

– A duket se keni ngjashmëri fizike me Abdyl Ypin?

Këto ditë që kam postuar fotot ma kanë thënë disa vetë. Unë vetë s’e kisha vënë re.

– Toptanasit, nga Topiajt te lidhja me Skënderbeun, një teori e trajtuar disa herë. Ju vetë, sa i besoni?

Toptanasit kanë besuar gjithnjë që vijnë nga Topiajt. Mund të jetë e mundshme, por legjenda, që tregojnë ata vetë, nuk përputhet me datat historike. Ajo që ka lidhje me Mamica Kastriotin, pra ideja që në linjë mashkullore lidhen me Topiajt dhe në femëroren me Kastriotët, por brenda legjendave ka gjithnjë të vërteta. Deri ku dhe si, nuk e them dot. Madje nuk e ka thënë dot asnjë historian.

– Enver Hoxha si shitës cigaresh, Nexhmija dhe i gjithë komunizmi, nuk lënë peshë. Ato kalojnë si një kohë që veçse pritej të ikte deri te gjyqi i turpshëm i kafeve, siç e cilësonte edhe Bibia …

Nuk është që komunizmi s’ka peshë, por komunizmi nuk kishte kulme. Nuk lejonte karaktere ndryshe. Komunizmi ishte i njëtrajtshëm dhe barazitist. Personazhet e spikatur, në barazi nuk jetojnë dot.

– Si u ndjeve pas ‘njohjes’ me Bajram Fevziun, ‘toskun’ që nona nuk e kuptoi kurrë?

Nuk besoj se jam njohur ndonjëherë tamam me të. Rrëfimet familjare thuajse mungonin krejt, ndërsa gjithë njohja reduktohet në kujtimet e bashkëkohësve dhe në dokumentet historike. Çdo gjë tjetër personale e tij u tret, ashtu siç ju tret edhe varri në Vjenë, ku vdiq.

– Lidhja juaj me toptanasit, ka qenë gjithnjë e njohur, ndërsa kërkimi i Fevziut, duket sikur plotëson atë përmasë të ‘panjohur’ edhe për ju?

E thashë edhe më sipër, ishte një proces i dështuar, nuk gjeta dot ndonjë gjë të re. Por në një moment të jetës çdo njeri ka nevojë të kthejë kokën pas e të kuptojë nga vjen dhe kush janë të parët e tij. Për këtë arsye librin ia kam dedikuar dy vajzave të mia, duke besuar se kur kurioziteti familjar t’i mbërthejë, të dinë më shumë gjëra se sa unë për të.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT