“Çdo shqiptar ka 3,200 euro borxh”

Kuvendi është në diskutim të buxhetit faktik për vitin 2018.

Të dhënat e konsoliduara të publikuara nga Kuvendi, tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,107.3 miliardë lekë, ose rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2% e PBB, ose 3210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Për sa i përket borxhit të brendshëm shtetëror, gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitit paraardhës, në përputhje me politikat menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj risqeve, ka vazhduar tendenca e rritjes së peshës së titujve afatgjatë (kryesisht titujt me afat maturimi mbi 5 vite).

Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, shërbimi i borxhit në vlerë absolute është rritur, si rrjedhojë e rritjes së stokut të borxhit, si dhe për shkak të parapagimit të interesave dhe primit që burojnë nga procesi i parablerjes së pjesshme (buyback) të Eurobond-it ekzistues.

Niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar rënie prej 2.9 pikë përqindje, duke vazhduar të qëndrojë në trajektoren rënëse, e cila ka nisur që prej vitit 2016.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB kanë qenë konsolidimi fiskal dhe mbiçmimi i monedhës vendase në raport me monedhat e tjera të portofolit të borxhit.

Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në raport me totalin e borxhit publik, janë përkatësisht rreth 52% dhe 48%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si dhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit publik, sipas instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës e mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond), ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

Borxhi i pushtetit lokal vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta (rreth 715.7 milionë lekë ose 0.1% e totalit të borxhit publik), kryesisht për shkak të kapaciteteve të ulëta që kanë njësitë e qeverisjes vendore për të akumuluar borxh. Gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë të re për huamarrje vendore.

Portofoli i borxhit shtetëror, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit drejt instrumenteve të tregtuara në tregjet e huaja, gjatë vitit 2018 vazhdon të dominohet mbi 50% nga titujt shtetërorë të tregtuar në tregun vendas.

Diversifikimi i portofolit drejt instrumenteve të huaja reflekton politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm, kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm.

Eurobondi 500 milionë euro

Gjatë vitit 2018, vlen të theksohet rritja e peshës në kategorinë e titujve ndërkombëtarë, si rezultat i emetimit të Eurobond-it të ri.

Në tetor 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë emetoi në tregjet ndërkombëtare Eurobond-in me vlerë 500 milionë euro, afat maturimi 7-vjeçar dhe normë interesi prej 3.5%.

Gjithashtu, transaksioni i emetimit të Eurobond-it u shoqërua me procesin e parablerjes së pjesshme (buyback) të një pjese të Eurobond-it ekzistues (200 milionë euro) që maturohet në vitin 2020. Transaksioni i Eurobond-it shërbeu: a) për të menaxhuar nevojat për likuiditet të vitit 2018, si dhe të viteve pasardhëse; b) për të reduktuar riskun e rifinancimit; c) për të mbajtur nën kontroll kostot që mund të materializohen në periudhën afatmesme, si rezultat i rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare përtej pritshmërive; si dhe d) për të ulur presionin për hua në tregun e brendshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT