Deklaratat mbi Kosovën, deputeti përmend Enverin dhe i kthehet ashpër Ramës: Pse kjo thikë pas shpine?

Deklaratat e kryeministrit Rama referuar mospjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Ohrit, kanë krijuar reagime të ashpra në vendin fqinj.
I indinjuar nga reagimi i Ramës se: “Kosova është vetë-përjashtuar dhe vetë-izoluar, duke mos marrë pjesë në samitin e Ohrit”, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli i është drejtuar kryeministri shqiptar me pyetjen: “Pse kjo thikë pas shpine?”
Në një postim në rrjetet sociale , Avdyli shkruante se pritej bashkim të shqiptarëve në Europë, e asnjëherë bashkimi i Shqipërisë me Serbinë kundër Kosovës.
“Enveri e harroi Kosovën por nuk e shiti Shqipërinë te Tito, kurse sot Rama po dorëzohet te Vuçiçi, duke u bërë vegël e saj, duke e shkelur edhe mbi vullnetin e pjesës saj të amputuar siç është Kosova. Pse kjo ngutje e Ramës, pse kjo thikë pas shpinës, tani kur Kosova është në vakuum institucional”, përfundon deputeti.