“Deputetët shqiptarë do i ngelja në klasë, ministrja e Arsimit nuk di shqip”

Në mbyllje të tetorit, muajit të leximit, një fjalor gjigand është instaluar në qendër të Tiranës.
Është Fjalori i Gjuhës Shqipe.
Nisma e Ministrisë së Kulturës ka tërhequr jo pak vëmendjen e kalimtarëve.
Të rinjtë kanë nxituar të bëjnë foto për rrjetet sociale, ndërsa shumë prej tyre nuk e njihnin këtë lloj libri ose e konsiderojnë të parëndësishëm.

Botimi më i fundit i fjalorit të gjuhës shqipe është formati i vitit 2006.
Gjuhëtarët shprehin nevojën e një botimi të ri, i cili kërkon një mbështetje financiare nga qeveria, rreth 700 mijë euro për 5 vjet.
“Vetëm 15 vitet e fundit kanë ardhur rreth 150 mijë fjalë nga fjalorë apo vepra të ndryshme që kanë lidhje me leksikun dialektor. Ne presim ta kodifikojmë, por s’kemi fonde”, thotë Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë.
Memisha denoncon faktin se Ministria e Arsimit nuk nxit shkollat për t’u pajisur me fjalorin e gjuhës amtare.
Ndërsa gjuhëtari i njohur Rami Memushaj, pedagog i hershëm, kritik në mënyrën se si përdoret sot shqipja, nuk nguron t’u vendosë notë shoqërisë shqiptare madje dhe zyrtarëve të lartë.
“Shoqërisë shqiptare do t’i vija notën 6, pasi ka gjithë këto gabime. Kryeministrit do t’i vija notën 9 sepse është një përdorues i mirë i gjuhës. Megjithatë, po ta merrja në aspektin organizativ do t’i vendosja notën 4. Ai nuk ka bërë asgjë për gjuhën shqipe.
Ministrja e Arsimit duhet të mësojë njëherë gjuhën standarde, nuk di ta flasë. Do ta lija për në vjeshtë atë!
Në parlament ka nivele të ndryshme, por një pjesë janë mbetës. Nëse vite më parë, çdo shtëpi kishte fjalorin e gjuhë shqipe, sot shumica i kanë shitur dhe i kanë zëvendësuar me fjalorë të gjuhëve të huaja”, thotë Memushaj.