Gjigandi mediatik BBC, jehonë mikpritjes së Anglisë në Kosovë, ndryshe nga Mali i Zi dhe Bullgaria (FOTO)

Gjigandi mediatik BBC ka nxjerrë në pah përmes një shkrimi të gjatë mikpritjen madhështore që Kosova i bëri tifozëve dhe lojtarëve të ekipit kombëtar të Anglisë, përpara ndeshjes së fundit kualifikuese për Euro 2020. Dhe kjo pritje në Prishtinë ka qenë krejt ndryshe nga Mali i Zi fqinj dhe Bullgaria.
Artikulli i nxitur nga banderolat me shkrimin “Mirësevini vëllezër”, apo “Mirësevini dhe respekt”, nënvizon se kjo ishte tema që i parapriu ndeshjes së konsideruar “si ndër momentet më të rëndësishme në historinë e këtij vendi”.
“Ky është një demonstrim tipik kosovar i faktit se lojtarët e Anglisë do të jenë të mirëpritur në një mënyrë që nuk u pritën në Malin e Zi dhe Bullgari, ku pjesëtarë të skuadrës së Gareth Southgate ishin subjekt i abuzimeve raciste”, shkruan BBC.
“Hashtag # Equalgame shihet gjithashtu anekënd këtij vendi vibrues në zhvillim, sapo të kaloni mes trafikut që bllokon rrugët drejt qendrës, ku ata që mbushin baret, restorantet e kafenetë e shumta, e kanë pritur me padurim këtë lojë që nga momenti kur u hodh shorti.
Ishte gjithashtu një kujtesë e mirënjohjes që ndjehet ende në Prishtinë dhe në pjesën tjetër të Kosovës për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin e vendit nga lufta”, shkruan më tej BBC.
Kosova e pret Anglinë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e fundit për të dy ekipet kombëtare në Grupin A kualifikues që nis në orën 18:00, me këtë të fundit që është kualifikuar tashmë.
“Tre luanët” mbërritën në Prishtinë të shtunën në mbrëmje dhe trajneri i tyre, Gareth Southgate, u shpreh shumë i kënaqur me pritjen madhështore që kosovarët i bënë tifozëve dhe lojtarëve të Kombëtares së tij.
“Na është bërë një mikëpritje shumë e ngrohtë. Mendoj se kjo ndeshje është festë për Kosovën. Sa keq që ata nuk ishin në gjendje të kualifikohen”, tha Southgate.