Historitë e kërcënimeve ndaj Ramës, sa i rrezikuar ka qenë realisht Kryeministri ynë!

Mesditën e kësaj të enjte burime për Top Channel kanë bërë me dije se një person është arrestuar nga antiterrori nën dyshimin se ka kërcënuar kryeministrin Rama.

Ende nuk dihet se ku dhe kur, Andrea Kurti, ka kërcënuar kryeministrin Rama, por ajo çfarë bëhet e ditur është se i riu është ndaluar dy ditë më parë nga forcat e antiterrorit.

Por ky nuk është rasti parë që kryeministri Rama kërcënohet. 

Kërcënimi i parë ndaj tij raportohet të jetë bërë në 2014-n, një vit pasi mori drejtimin e vendit. Bëhet fjalë për avokatin Bashkim Hoxha, i cili deklaroi më pas se SMS-të kërcënuese ndaj kryeministrit i kishte dërguar në gjendje të dehur dhe se nuk ishte i përgjegjshëm për atë çfarë kishte shkruar.

Në 2016-ën në adresë të kryeministrit mbërritën disa letra kërcënuese, autor i tyre ishte një 60-vjeçar i quajtur Xhibrileminë Muhamet Keça. Por pas verifikimeve u zbulua se kishim të bënim me një person me të meta mendore.

Duke u afruar në kohë mbërrijmë në korrik të këtij viti ku në rrjetet sociale përmes profilit të një shqiptaro-maqedonasi publikoheshin komente kërcënuese në adresë të kryeministrit. Por as ky rast nuk rezultoi shqetësues, pasi Nuredin Asani deklaroi për mediat se nuk i kishte bërë ai dhe profili i tij ishte vjedhur më herët dhe po keqpërdorej.

Pra, deri më tani të gjitha rastet e bëra publike për kërcënime në adresë të kryeministrit Rama nuk kanë qenë edhe aq shqetësuese.

Mbetet për t’u mësuar ende se si ka ndodhur rasti i fundit, si e ka kërcënuar Andrea Kurti kryeministrin Rama. E duke marrë parasysh se i riu ka dy ditë në burg dhe mbajtja e fshehtë e arrestimit, kësaj here duket se kërcënimi ka qenë real.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT