Këngëtarët po i vjedhin shtetit dhe kjo, s’është e drejtë!

Drin Zatriqi, ish-menaxheri i Dafina Zeqirit, Babastars-ve dhe disa prej këngëtarëve të njohur të showbiz-it shqiptar, ngriti pak ditë më parë një shqetësim që lidhet me pagesat e tyre nëpër koncerte a club-e nate. Përmes një statusi të publikuar  në llogarinë e tij të Facebook-ut, shkruan:

PHOTO COURTESY: DRIN ZATRIQI FACEBOOK

“Me qeverinë e re duhet të rregullohet edhe tatimi i estradës, tashmë industria e muzikës është milionëshe dhe çmimet nga 100 deri në 10.000 e 15.000 euro duhet të dënohen me dënime të majme dhe konfiskim pasaportash, nëse ju ikin atyre siç kanë bërë deri tani.”

Më poshtë, ai përpiloi një listë me emrat e këngëtarëve dhe pagat përkatëse që marrin, duke filluar nga më e paguara tek ajo më pak.

Në listën e tij, si më e paguara rezulton Tayna, të cilës çmimi për një koncert i nis nga 8000 deri në 12.000 euro.

Në fund të statusit, Zatriqi sqaron se çmimet tek disa artistë janë edhe më të lartë, por për hir të korrektësisë ka zgjedhur t’i tregojë përmes një mesatareje të përafërt.

Siç e shihni, pagesat duken të frikshme dhe nëse secili prej tyre nuk tatohet mbi fitimin e marrë, bazuar në ligj ka kryer evazion fiskal, që është i dënueshëm.

Të ardhurat që vijnë nga arti, muzika apo industri të tjera, nuk duhet të diferencohen nga pjesa tjetër e veprimtarive ekonomike. Ashtu siç tatohen pa asnjë lloj përjashtimi të gjithë bizneset, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me këngëtarët. Nëse kjo s’ndodh, atëherë të gjithë këta artista (dhe jo vetëm) po na vjedhin, në kuptimin e parë të fjalës.

“Sipas përcaktimeve të nenit 13, “Deklarata individuale vjetore e të ardhurave” të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar përcaktohet detyrimi i tatimpaguesve individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, mbi kufirin prej 2. 000 000 lekë të ardhura bruto, të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore.”

Me pak fjalë, të gjithë këngëtarët që fitojnë mbi 2 milion lekë brenda territorit të Shqipërisë dhe jashtë saj, janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave pranë administratës përkatëse.

Në rastet kur artistët NUK janë rezidentë shqiptarë ligji parashikon që detyrimi tatimor të paguhet nga pala tjetër, ai që ka paguar (në rastin tonë, lokalet, club-et.)

 “Kur këto të ardhura realizohen nga persona jo-rezidentë, individë ose persona rezidentë  shqiptarë që, në bazë të legjislacionit tatimor ekzistues, nuk janë të detyruar të regjistrohen në organet tatimore shqiptare, detyrimi tatimor do të mbahet në burim nga paguesi i të ardhurave.”

Nëse flasim për shifra si ato më lartë, ku artistët më të paguar mesatarisht fitojnë rreth 500.000 euro në vit, përqindja e tatimit duhet të ndryshojë!

Shqipëria është ndër vendet e pakta ku këngëtarët nuk tatohen mbi fitimin që realizojnë dhe kjo do të thotë të shkelësh ligjin. Për të tilla shuma, që arrijnë në mijëra euro (dhe që kryesisht sigurohen edhe brenda një nate), nuk paguhet asnjë taksë. Ose më saktë, kemi paguar vetëm ne, për ta!

Faji i artistëve mbetet i pjesshëm. Nëse jo të gjithë ndjejnë detyrimin moral për të qenë në rregull me drejtësinë (si rrjedhim dhe me publikun që i paguan) atëherë të ndjejnë forcën e ligjit!

Pavarësisht se në 2017-ën pati disa ndryshime në ligje dhe administrata tatimore u angazhua t’i jap fund evazionit fiskal më këtë industri, faktet flasin ndryshe./Anabel.al 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT