Kush e nxori nga kampi i ferrit Alvinin? Media italiane zbërthen aksionin e shpëtimit

Më në fund pas shume javësh pritje në ankth, pas bërjes së rastit publik, u shpëtua Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar, i cili kishte ngelur në kapin Al-Hol në Siri. Media italiane open.online shkruan se nga kampi 11- vjeçarin e ka nxjerrë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Operacioni i shpëtimit:
Për të konstatuar identifikimin e Alvinit në kampin e Sirisë, fillimisht është punuar me tiparet apo shenjat që kishte 11-vjeçari në trup. Gjithashtu edhe një krahasim me tiparet e të atit të tij, Afrimit. Në të njëjtën kohë, më 10 shtator, u lëshua në Interpol një urdhër me autorizimin e prokurorisë publike të Milanos, domethënë një shënim për gjurmimin e fëmijës. SCIP, Shërbimi Policor Ndërkombëtar i Ministrisë së Brendshme Italiane, ishte angazhuar në një mision delikat, gjatë të cilit u përfshinë edhe ministritë e jashtme italiane dhe shqiptare.
Alvin dhe babai i tij, Afrim Berisha, kanë nënshtetësi shqiptare dhe një leje qëndrimi të rregullt italian. Autoritetet e Tiranës lëshuan dokumentet e nevojshme për transportin në Itali të fëmijës së vogël, e cila ndodhi përmes Libanit.
Në të njëjtën kohë, SCIP kërkoi ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i vetmi që operonte në kampin Al Hol, i cili menjëherë u aktivizua me Gjysmëhënën e Kuqe dhe ishte në gjendje të identifikonte fëmijën dhe ta transportonte atë, falë garancive të ofruara për operacione humanitare, nga kampi i refugjatëve në Damask dhe më pas në kufirin e Sirisë me Libanin.
Në kufi fëmija u mor në krye nga një drejtues i Policisë italiane SCIP i cili, së bashku me CRI, karabinierët dhe një delegacion të qeverisë shqiptare, e çuan në ambasadën italiane në Beirut, ku po pret të niset drejt Italisë.
11-vjeçari është transportuar nga Damasku në Liban dhe aktualisht ndodhet në ambasadën Italiane në Bejrut, ndërsa nesër do të niset drejt Romës për t’u bashkuar me familjen, babanë dhe motrat.