“Makina e së vërtetës”, pse ministri Lleshaj kërkon fonde shtesë për aparaturën poligraf

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mbrojti sot në Komisionin e Sigurisë kërkesën e tij për të pasur më shumë fonde ministria që ai drejton për vitin 2020.
Duke bërë publikë disa zëra investimesh, me të cilave një laborator të ri për Policinë Shkencore, apo një godinë për Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Lleshaj formuloi edhe një kërkesë disi më të çuditshme.
Ai kërkoi fonde për vitin 2020 për të blerë një aparaturë të re poligraf, ose e thënë ndryshe “makina e së vërtetës”, e cila do të shërbejë për procesin e vettingut që ka nisur në Policinë e shtetit.
Deri më tani në vettingun policor kanë kalur vetëm dy zyrtarë, nga të cilët njëri mbeti dhe u përjashtua nga radhët e policisë, ndërsa tjetri u rikonfirmua në detyrë.
Në daljen e tij para Komisionit të Sigurisë, ministri Lleshaj ka theksuar objektivat kryesore që synohet të arrihen nëpërmjet p/buxhetit 2020 për Ministrinë e Brendshme.
Disa nga investimet e rëndësishme që përmendi, ishin Korpusi i Policisë së Shtetit, Laboratori i ri Shkencor modern, rinovimi i flotës së mjeteve, armatim dhe pajisje të reja, rikonstruksione të komisariateve dhe drejtorive vendore të policisë etj.
Ministria e Brendshme ka 5 programe buxhetore, që janë Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Planifikimi e Menaxhimi, Prefektura si dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor, nga të cilat pjesën më të madhe e zenë programet që lidhet me sigurinë, Garda dhe Policia e Shtetit.
Por vendim më të rëndësishëm e zuri një kërkesë për aparaturën Poligraf, aplikimi i së cilës është në funksion të vettingut në Polici dhe në funksion të vettingut në strukturat e tjera si gjyqësori dhe më gjerë.
Lleshaj tha gjithashtu se janë parashikuar investime në armatim, teknologji, në fushën e mbrojtjes ndaj lëndëve eksplozive, në fushën e mbrojtjes nga lëndët e shkatërrimit në masë e të tjera.
Sipas shifrave në 2019 buxheti i planifikuar ishte 20.7 miliardë lekë, ndërkohë me ndryshimet e bëra u rrit gjatë vitit edhe me 1 për qind dhe shkoi në 21 miliardë.