Melani, qendra antike shqiptare me kryet përmbysur…

Ekskluzivisht nga Marin Mema
Melani, qendra antike shqiptare me kryet përmbysur…
Në një pozicion dominues jo larg fshatit Nepravishtë e Vllaho Goranxi pak km nga Gjirokastra, një qendër e vjetër ngre kryet nga mugëtira e shekujve. Muret e lartë, kthinat dhe rrënojat e shumta, të japin qartazi idenë se ky nuk ka qenë një vendbanim i zakonshëm, e në fakt kështu është, të paktën nëse mbështetesh tek të dhënat e arkeologëve. E jo vetem kaq, sepse vetë banorët dëshmojnë se këtu janë bërë kërkime dhe gërmime ilegalisht.
Askush nuk mund të thotë në mënyrë të prerë se si quhej ky qytet. Tezat për të janë të shumta, por më interesantja është ajo që jepet në Hartën Arkeologjike të Shqipërisë. Për dikënd kjo tezë mund të jetë një fantazi, për të tjerë një tezë e mahnitshme, gojëdhënë, legjendë apo një marrëzi e pa mbështetur. Fakti është se në këtë botim shkencor, vepër e disa prej arkeologëve më të mirë shqiptar, ky vendbanim i vjetër i periudhës se bronzit, njihet si “Kërthiza e Botës”.
Në Hartën Arkeologjike Shqiptare, të botuar në vitin 2008, renditen disa ndër qendrat më të rëndësishme të periudhës së prehistorisë dhe asaj të lashtësisë. Arkeologët Muzafer Korkuti, Apollon Baçe dhe Neritan Ceka, nën drejtimin e arkeologut francez Pierre Cabanes, në faqen 129 të këtij botimi, kanë analizuar edhe vendbanimin që po trajtohet në këtë shkrim, emri i të cilit përfshihet nga një pikëpyetje e madhe… Ai quhet Omfalion, apo siç e njohin banorët e sotëm të zonës, qyteti i Melanit.
Megjithatë është fakt se mes arkeologëve, ekspertëve të fushës, studiuesve, por edhe banorëve të thjeshtë jepen identifikime të ndryshme për emertimin e këtij qyteti. Dikush e quan Justinianopol të tjerë Hadrianopol, e po kështu eshte edhe teza e Omfalionit, , por ka edhe shumë mendime të tjera, që i japin këtij qyteti një frymë kaq mistike. Kush është ai në të vërtetë ? Perse të gjithë këta emra ?
Faktet tregojnë se në kohën para Pirros së Epirit që ndërtoi Antigonenë, qyteti i Melanit siç njihet më gjerësisht, ka qenë kryeqendra e luginës së Drinosit dhe një ndër më të pasurat mes qendrave e vendbanimeve të lashta të gjithë kësaj lugine, e ndoshta ky është fakti për të cilin disa prej arkeologëve e kanë lidhur me emërtimin “Kërthiza e Botës”, i përmendur nga gjeografi i madh i lashtësisë Ptolemeu. Ai është burimi kryesor ku mbështetet hipoteza e disa arkelogëve për këtë emër të veçantë. Por ajo që mund të thuhet është se qyteti i Melanit ka ndryshuar emër disa herë, duke ju përshtatur periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat ka kaluar…
Nga shekulli i IV para erës sonë, e më pas, qyteti ka patur një zhvillim të mëtejshëm. Sigurisht gjatë fazave të ndryshme historike banorët kanë lëvizur sikurse gjatë pushtimit romak kur ata janë zhvendosur në pjesën e poshtme të luginës në qytetin e Hadrianopolit, por kjo nuk do të thotë se e braktisën këtë vend. Përkundrazi ata u rikthyen sërisht duke e rifortifikuar në fundin e shekullit të VI dhe në fillimin e atij të VII kur duhet të mbroheshin nga dyndjet sllave.
Gjetjet deri më sot janë të pakta e kjo sepse kërkimet nuk i kanë dhënë asnjëherë rëndësinë e kërkuar këtij vendi. Shumë prej objekteve janë zbuluar rastësisht nga banorët, e kështu duket se do të jetë për një kohë të gjatë. Ne njohim vetëm majën e këtij qyteti, asgjë më shumë…
Për fat të keq, në fundin e viteve ‘90 por edhe më pas, me fillimin e atyre të viteve 2000, shumë gërmime ilegale janë bërë në këtë zonë, madje edhe me makineri të rënda. Janë kohët kur sipas banorëve në to u përfshinë edhe diplomatë të huaj nga vendi fqinj. Trafiku i objekteve arkeologjike ka qenë për një kohë të gjatë, ashtu si edhe sot, një nga problemet më të mëdha të trashëgimisë dhe historisë shqiptare. Shumë të tilla kanë përfunduar ilegalisht më së shumti në Greqi, për t’u shitur tek koleksionistë të ndryshëm, janë vendosur muzeumeve, apo kanë vijuar rrugëtimin drejt vendeve të tjera europiane.