Meta dikur vlerësonte Dvoranin, kurse sot e akuzon si mafioz (VIDEO)

Pozitat e Ilir Metës në krye të Shtetit janë lëkundur ndjeshëm. Shkarkimi i mundshëm nga Parlamenti për shkeljet kushtetuese me zhdekretimin e 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit për zgjedhjet lokale të këtij viti janë një arsye e fortë që ai të ketë frikë.

Dhe për këtë po tenton me çdo mënyrë të ketë një mburojë që në këtë rast, duhet me patjetër të jetë Gjykata Kushtetuese. Ndaj, nuk po lë gur pa lëvizur.

Në shkelje të plotë të Kushteturës në rastin e dekretimit të Marsida Xhaferllarit, Meta e humbi plotësisht qetësinë dhe akuzoi si mafioz e shkelës së ligjit, Ardian Dvoranin kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por, Ilir Meta po vepron me dy standarde kur bëhet fjalë për Ardian Dvoranin. Sepse, në rastin kur ky i fundit i dha pafajësinë Ilir Metës si relator i një çështjeje korrupsioni, që mbërriti për gjykim deri në Gjykatën e Lartë ishte në lartësinë e detyrës dhe në zbatim të ligjit.

Bëhet fjalë për procesin gjyqësor, ku në publik u denoncua përmes një videoje Ilir Meta që bënte pazar me një vlerë 700 mijë euro. Pas hetimeve, dosja kaloi në Gjykatën e Lartë, kur relator me short u zgjodh Ardian Dvorani.

Në shkurtin e vitit 2012, pasi u zbardh vendimi i Gjykatës së Lartë për pafajësinë e Ilir Metës në atë kohë në qeverisje me Sali Berishën, kreu aktual i shtetit nga selia e LSI  i thuri lavde trupi gjykues dhe Dvoranit si relator.

“Dua të falenderoj trupin gjykues, sepse pavarësisht presioneve kanë qenë në zbatim të ligjit dhe të së drejtës. Sepse, për ta Drejtësia është e shenjtë” – pati deklaruar Meta asokohe.

Në videon që shoqëron këtë shkrim keni deklaratën e Ilir Metës që vlerësonte trupin gjykues, në atë kohë të drejtuar nga Dvorani.

Por sot, gjërat kanë ndryshuar. Meta është në rrezik dhe për këtë akuzon gjyqtarin, që dikur zbatonte ligjin dhe sot jo. Këto janë dy standardet e Metës. Sa herë që fiton ai, Drejtësia bën detyrën. Dhe kur rrezikon, Meta di të godasë me emra në publik.

“Unë si president akuzoj Dvoranin për këto vepra; shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetëtore, baza ligjore kushtetuta e Shqipërisë. Gjatë detyrës ai me dashje ka shpërdoruar funksionon dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz” – akuzon sot Meta, Dvoranin.

Kë duhet të besojmë?! Atë Metën që dikur vlerësonte Dvoranin se dha drejtësi, apo këtë Metën që akuzon sot Dvoranin si mafioz.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT