Negociatat, kreu i ri i KE: Reformë në BE…për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin

Presidenti i ri i Këshillit të Europës, Charles Michel tha se është e nevojshme të ridizajnohet plotësisht e modernizohet procesi i negociatave për anëtarësim.

 “Të shohim se si ne brenda BE duhet të reformohemi veçanërisht në lidhje me sistemin e vendimmarrjes”, ka thënë Michel.

Ky pohim i tij vjen pasi Tiranës e Shkupit, kundrejt premtimeve iu refuzua hapja e negociatave.

Shkak për këtë u bë vetoja franceze, me tezën e njohur të Macronit se më parë duhej reformuar BE, para se të vijonte procesi i zgjerimit.

Michel, i cili do të kryesojë kryetarët e shteteve të BE-së theksoi se “kjo është e rëndësishme sepse BE-ja, edhe me 27 anëtarët e saj të tanishëm, po përjeton një kohë të vështirë në vendimmarrje, ndërkohë që i duhet të marrë vendime të shpejta”.

Dhe për të parë kur dhe si mund të hapet dera për BE, duhet të “reformohet e modernizohet procesi i zgjerimit”, shpjegoi ai.

Udhëheqësi i ri i BE-së i tha rrjetit televiziv “France Info” se kjo do të ishte detyra e tij në një situatë kur kishte mosmarrëveshje të gjerë midis shteteve anëtare të BE-së për zgjatjen dhe vonimin e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

Zyrtarët në Këshillin e Ministrave të BE kanë konfirmuar në të njëjtën kohë se ministrat e jashtëm duhet të diskutojnë përsëri për këtë çështje më 19 nëntor, në pritje që Franca të bëjë propozimet e saj mbi ndryshimet e thella, të kërkuara në procesin e zgjerimit.

Franca, si dhe disa anëtarë të tjerë, mendojnë se parakushti për pranimin e një anëtari të ri është që së pari të fuqizohet vetë Unioni, institucionet e tij dhe mekanizmi i vendimmarrjes, në mënyrë që pastaj të konsiderohet kur dhe si të pranohet një vend në radhët e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT