“Organizata më e rrezikshme, mban veshur…”/ Rama zbulon çfarë do ndodhë me ’KÇK’

Duke folur në takimin me qytetarët dhe bizneset që kanë gjetur zgjidhje në platformën “Shqipëriaqëduam.al”, kryeministri Rama i është kthyer edhe një herë ‘KÇK’.
‘KÇK’ (kap ca te kapësh) Rama e quan si organizata kriminale më e rrezikshme që vepron sot në vend. Kryeministri ka garantuar se shumë shpejt Qeveria do të çojë në Parlament masa speciale ndaj anëtarëve të organizatës.
“Ka nisur pastrimi i sistemit dhe shumë nga xhakajdurët që janë në sistem e dinë që nuk e kalojnë Vetingun dhe do i kapi fshesa, prandaj janë lëshuar.
KÇK, organizata më e rrezikshme kriminale që vepron në vend, e veshur me petkun e ligjit dhe funksionin si organizatë grabitësish ordinerë.
Për KÇK ne po bëhemi gati dhe sikundër e kam lajmëruar lidhur me krimin e organizuar, paralelisht me një ligj special për ta çuar luftën kundër krimit në një nivel të pandodhur më parë dhe me rezultate të garantuara.
Ne do të çojmë në Kuvend edhe disa masa speciale ndaj anëtarëve të KCK, nuk mund të them më shumë por të jeni të sigurt se të gjithë do të shohin në praktikë, jo në fjalime, rezultatet e një ofensive frontale që qeveria do të ndërmarrë ndaj krimit të organizuar dhe KÇK’, deklaroi Rama.