Qeveria sërish tender për Syrin e Kaltër, këtë herë për plan menaxhimi

Pas një tenderi për dhënie me qira të katër kabinave në zonën e mbrojtur të “Syrit të Kaltër” në Bashkinë e Finiqit, që i kushtoi shtrenjtë shoqërisë shtetërore “Albturist TO”, sot është shpërndarë njoftimi se Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka shpallur tender për hartimin e një plani menaxhimi për gjithë zonën e “Syrit të Kaltër”, ku përfshihen plane për përmirësim të aspekteve fizike, sociale, ekonomike dhe ekologjike të zones.

Fondi limit për hartimin e planit është 5.8 milionë lekë dhe ofertat mund të dorëzohen deri me datën 12 nëntor 2019, ora 12.

Sikurse është bërë e ditur, ditët e fundit shoqëria shtetërore menaxhuese e këtij monumenti të natyrës, “Albturist Tour Operator” sha, u shkri nga qeveria, pasi, jo vetëm që nuk kishte marrë masa për përmirësimin e kushteve të “Syrit të Kaltër”, por u përpoq që t’ia japë privatit me qira aktivitetin e disa kabinave që ndodhen atje.

Por ky objekt kontrollohet nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, që duhet të thotë fjalën e fundit për çdo ndryshim të statusit të tij.

Aktualisht në këtë monument natyre funksionon një pikë biletarie e cila nuk përmbush standardet e kërkuara.

“Duke qënë një nga pikat turistike më të vizituara është e nevojshme investimi për implementimin e një pike biletarie elektronike si dhe hartimi dhe miratimi i një rregulloreje të brendshme për funksionimin e pikave të biletarisë, në funksion të menaxhimit efektiv të zonës”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Ndërkohë, problem i rëndësishëm është edhe mungesa e infrastrukturës si dhe rruga plotësisht e amortizuar e cila të çon në Monumentin e Natyrës.

Nisur nga fluksi i lartë turistik dhe interesi i madh për këtë monument është i nevojshëm investimi për mirëmbajtjen e saj, vendosjen e postbllokut elektronik dhe sistemimin e parkimeve.

Mungon infrastruktura në shërbim të turistëve përfshirë këtu tualete dhe kosha për mbetjet si më të rëndësishme.

Dhe numri i vizitorëve nuk ka qenë i vogël: Për periudhën Janar–Dhjetor ai ka arritur 84.616 persona dhe në 28.905 numri i mjeteve, që paguajnë të gjithë biletë hyrjeje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT