“Serbia ka histori kriminale”, Daçiç: Qeveria shqiptare të kërkojë falje për deklaratat e Cakajt

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç ka kërkuar nga Shqipëria një falje publike për deklaratat e ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
Sipas Daçiç, Cakaj akuzon Serbinë se ka një “histori kriminale” dhe se politikanët e atëhershëm dhe anëtarët e grupeve paramilitare janë “në ballë të Serbisë së sotme”, raporton Telegrafi serb.
“Ky është një falsifikim i ngjarjeve në Kosovë, dhe për këtë arsye pres faljen e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Daçiç teksa ka përmendur deklaratat e Cakajt.
Kreu i diplomacisë serbe ka thënë se këto deklarata të ministrit Cakaj nuk kontribuojnë në fqinjësinë e mirë në mes Beogradit dhe Tiranës dhe sipas tij janë plotësisht në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve të Serbisë për përmirësimin e raporteve me Shqipërinë.
Sipas Daçiç, deklarata të tilla ndikojnë edhe në stabilitetin e të gjithë rajonit.