Shmanget tragjedia në Tiranë/ Shoferi i urbanit “tapë” në timon, rrezikoi jetën e 80 pasagjerëve

Një shofer autobusi është kapur sot nga policia, pasi po shkelte në mënyrë flagrante rregullat e qarkullimit. Teksa transportonte më shumë se 80 pasagjerë që ndodheshin në autobus, ai kaloi me të kuqe një nga kryqëzimet e Tiranës, duke shkaktuar për pak një tragjedi në rrugë. Sipas njoftimit të policisë, pasi është ndaluar nga policia, shoferi i është nënshtruar kontrollit dhe ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.69mg/l
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga prioritetet e kontrollove policore për parandalimin e aksidenteve rrugore, ka ushtruar kontroll me përzgjedhje ndaj mjeteve të transportit publik qytetas dhe ndërqytetës në orare dhe vende të ndryshme, ku janë konstatuar shkelje aq sa flagrante dhe të rrezikshme, siç ishte rasti i një autobusi që kishte më shumë se 80 pasagjerë, vazhdoi lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë, në një nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit si dhe rezultoi në gjendje të dehur në masën 0.69 mg/l, rrezik potencial që për nga kapaciteti mbartës i autobusit, mund të shkaktonte tragjedi në rrugë, nëse përfshihej në ngjarje rrugore.