Sikur të ishim vend normal

Në një vend normal qeveria do të duhej të dorëzonte çelësat dhe të pranonte ose ndryshime të thella, përfshi mocion ndaj kryeministrit, ose të kalonte në zgjedhje.
Që në momentin që ministrja e Financës deklaron se nuk do të financohen më projekte publike për vitin 2020 sepse nuk ka më lekë, ndërkohë që rritjen ekonomike e mban 4.1%, ky duhet të ishte kryeargumenti dhe kryebeteja.
Shqipëria po falimenton. Por falimenti është perceptuar me kohë në këtë vend anormal që sot ripërtyp çështje interesi të rreth 100 personave me pushtet në Tiranë dhe askujt tjetër.
Asnjë vëmendje nuk ka zënë p.sh një lajm për fermerët në Lushnje që po flakin prodhimet. Kjo është qeveri që i bën tuç realitetit me statistika. Eksportet për të dhe mediat e veta vetëm rriten, kurse ata që ankohen janë viktima të makinerisë së baltës. Edhe ata që ikin po kështu janë njerëz që shpesh keqkuptojnë progresin.
Është një luftë frontale që qeveria dhe politika në tërësi i ka hapur të vërtetës. Të përditshmes së çdo qytetari që e sheh veten të izoluar në morinë e lajmeve për veting, dvoran dhe ambasadorë. Një qark i mbyllur çmendurie.
Lekë ky shtet nuk ka, por nuk i mbarohen.
Kjo ishte një thënie e kohës së monarkisë. E thjeshtuar, domethënia është: sa kohë që pasurinë e ndajnë 4-5 veta dhe të tjerët rrinë e vështrojnë, këta të pakët do të blejnë edhe spektaklin politik e mediatik, do të prodhojnë debatin dhe krijojë ekonominë e rreme që ka gënjeshtrën si valutën bazë.
Shikoni sesi një vend si ky yni arriti të zhvlerësojë çdo institucion.
Korrupsioni ynë jo vetëm vrau shpresën, por çmitizoi Europën dhe Perëndimin dhe kjo është një ndër humbjet më të mëdha të kësaj politike që qysh tani ka raportin e organizatës kriminale me ligjin, shoqërinë dhe pasurinë.
Kush do ta ndalojë atëherë dhunën që është rrjedhojë e natyrshme e kësaj klime?
Cili vetting do të arrijë të krijojë kredencialet morale të një elite që nuk bën gjë tjetër veçse legalizon hiperpasurimin e pajustifikuar dhe paraziton?
*****
Skerdilajd Zaimi / Marrë me shkurtime nga ResPublica