Skandali i harruar me pasaportat që nuk u hetua, si u bënë dibranë basketbollistët amerikanë

Nga Mendrit Shehu
Në botën e sportit, janë të shumta rastet ku sportistët kanë përdorur lloj-lloj makinacionesh, për të arritur qëllimet e tyre.
Por, rasti i dy basketbollistëve amerikanë me ngjyrë që u hoqën si shqiptarë është i veçantë.
Jemi në fillim të viteve 2000.
Ajo që duhej të ishte një ditë normale pune, brenda një çasti do të kthehej në një odise për punonjësit e zyrës konsullore të ambasadës shqiptare në Paris. Ata nuk do t’u besonin syve teksa, nisën të lexonin një faks të ardhur nga federata franceze e basketbollit.
Federata franceze kërkonte të konfirmohej nënshtetësia shqiptare për dy basketbollistë amerikanë, që për herë të parë do të luanin në kampionatin profesionist francez.
Faksit i ishin bashkangjitur edhe fotokopjet e pasaportave të dy amerikanëve –gjithçka konform rregullave – të cilat ishin lëshuar nga komisariati i policisë Dibër.
Më shumë se nënshtetësia, ajo që kishte tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të federatës franceze ishte fakti se të dy basketbollistët “shqiptarë” ishin me ngjyrë.
Në sezonin 2000-2001 për shkak të skandalit të pasaportave false, kampionati francez i futbollit u paralizua, duke e vënë në diskutim edhe vazhdimin.
Ekipe si Saint Etienne apo Toulouse u zbritën përkatësisht në kategorinë e dytë dhe të tretë për shkak se kishin aktivizuar lojtarë të huaj me pasaporta false, kurse disa lojtarë u përjashtuan përjetë.
Për t’i paraprirë një skandali të tillë, federata franceze filloi të hetojë rreth mundësisë së këtij fenomeni edhe në basketboll.
Atë sezon, për herë të parë FIBA hoqi çdo kufizim për aktivizimin e lojtarëve evropianë.
Në ndryshim nga futbolli ku funksiononte rregullorja e ashtuquajtura Bosman, në atë periudhë në basketboll mund të aktivizoheshin lirisht dy kategori lojtarësh: shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe të pjesës tjetër të Evropës.
Marques Bragg
Kjo rregullore solli një dyndje të lojtarëve jugosllavë, sllovenë, kroatë, apo nga ish- republikat sovjetike. Shembulli konkret është fakti që në atë sezon në 16 ekipe aktivizoheshin lojtarë nga 36 vende.
Por ekipet franceze kishin të drejtë të aktivizonin vetëm nga dy amerikanë dhe një numër të pakufizuar evropianësh.
Për këtë arsye, nëse një amerikan ishte i aftë të provonte një shtetësi tjetër, atëherë klubi kishte të drejtë ta aktivizonte si joamerikan, duke mos e prekur kuotën.
Duke u nisur nga ky rregull, por edhe nga fakti që dy amerikanë me ngjyrë mbanin ne duar pasaporta shqiptare, drejtuesit e federatës iu drejtuan ambasadës shqiptare për verifikim.
Dy ‘’dibranët’’ Jason Forreslal dhe Marques Bragg nuk u prononcuan për këtë skandal, duke insistuar që nënshtetësinë e kishin trashëguar nga gjyshërit, edhe pse nuk dinin gjuhën dhe nuk kishin shkelur asnjëherë në Shqipëri.
Pas disa verifikimeve përgjigja zyrtare e Tiranës nuk vonoi. Dy lojtarët nuk ishin shqiptarë, as gjyshërit e tyre afërmendsh.
Por, nuk u dha asnjëherë sqarim se kush i pajisi ata me pasaporta të rregullta shqiptare.
Skandali u harrua dhe shteti shqiptar nuk bëri asnjë hetim.
Të dy lojtarët u larguan nga ekipi francez.
Karrierën e vazhduan në kategoritë inferiore të Evropës, duke mos arritur asnjëherë të lënë gjurmë dhe duke u tërhequr në vitet 2005.
Tashmë kanë kaluar shumë vite, duke u harruar si histori, por mesa duket edhe dy ‘’dibranët’’ e kanë harruar ‘’kombin’’ e tyre, edhe pse në internet figurojnë ende si shqiptarë.

