“Tendenca islamofobe e Macron”: Politika e jashtme franceze duket se nxitet nga frika se Evropa rrezikon të përfshihet nga Islami

Çfarë po e udhëheq saktësisht politikën e jashtme të Presidentit Francez Emmanuel Macron?

Nga Bruno Maçães*

Ai thotë se dëshiron një Evropë më gjeopolitike, të aftë të përballojë një botë gjithnjë e më të rrezikshme. Por atëherë është e vështirë të shpjegohet vendimi i tij për të bllokuar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke ia dorëzuar Ballkanin Perëndimor Rusisë dhe Kinës në një pjatë të argjendtë.

Gjatë fushatës së tij për president, Macron e paraqiti veten si dikush që ishte për një kthim në vlerat themelore, liberale, demokratike të Evropës. Sot, ai mburret me miqësinë e tij rishtas me të fortin e Hungarisë, Viktor Orbán.

Dikur presidenti francez insistonte se Moska përfaqësonte një botëkuptim që binte ndesh me atë të Bashkimit Evropian. Tani ai thotë se dëshiron të shkojë më pranë Rusisë dhe të ndërtojë një arkitekturë të re të sigurisë më në përputhje me interesat e Kremlinit.

Nëse jeni konfuz, nuk jeni i vetmi. Mund dhe të jetë që ne që po vëzhgojmë Macron-in nuk po arrijmë të kuptojmë hollësitë e politikës së jashtme, veçanërisht kur praktikohet nga një virtuoz i këtij arti. Ndoshta të gjitha këto pjesë do të përputhen në fund, njësoj si në episodin e famshëm të fundit të shfaqjes televizive “Lost”.

Disa njerëz me të cilët kam folur evokojnë një teori alternative, dhe po aq ekstreme: Presidenti francez thjesht po improvizon. Ai e shijon vëmendjen e mediave që e merr me secilin qëndrim të papritur – dhe nuk i intereson shumë nëse copëza e tashme e kontroversizmit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato që ka thënë më parë.

Teoria ime personale është se është më e lehtë të thuash se nuk ka asnjë logjikë në politikën e jashtme të Macron-it sesa të pranosh që forca e saj lëvizëse është diçka që nuk na pëlqen.

Po fillon të duket sikur po formohet një model. Pse Franca i fundosi bisedimet me Ballkanin Perëndimor? Macron ka pohuar se procesi i pranimit duhet të reformohet, por ai nuk ka bërë asnjë propozim se si ta reformojë atë.

Kjo ka bërë që shumë njerëz në të dy vendet të ndajnë një përfundim të përbashkët: Arsyeja e vërtetë për kundërshtimin e Macron është se Shqipëria është një vend me shumicë myslimane dhe Maqedonia e Veriut ka një pakicë myslimane shumë të madhe dhe aktive politikisht.

Ata mund të mos ta kenë gabim. Po të shohësh me kujdes, nuk është e vështirë të vëresh një rrymë të fshehtë islamofobe në shumë prej vendimeve të fundit të Macron-it në politikën e jashtme.

Në një intervistë me Economist javën e kaluar, në të cilën ai deklaroi se NATO-s i kishte “vdekur truri”, Macron kishte shumë më pak interes të diskutonte për Trump-in sesa për Turqinë. I pyetur nëse ai ende besonte në nenin 5 – që Franca ka një detyrim ligjor të mbrojë vendet e tjera të NATO-s nga agresioni – ai u përgjigj në mënyrë të pabesueshme se nuk e dinte.

Pse jo? Sepse ai mund të detyrohet të mbrojë Turqinë – një mundësi që dukej se e konsideronte pak a shumë absurde.

Në të njëjtën intervistë, ai papritmas sugjeroi që problemi i tij i vërtetë në Ballkan nuk ishte Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por Bosnje-Hercegovina – konkretisht “bomba me sahat” e xhihadistëve që po kthheshin.

Le të mos harrojmë asnjëherë se Bosnje-Hercegovina ka dërguar gjashtë ose shtatë herë më pak “luftëtarë të huaj” në Siri sesa Franca apo se shumica e tyre ishin gra dhe fëmijë. Bosnje-Hercegovinës, një nga lulet e civilizimit islam në Evropë, i është dhënë vërejtje. Milorad Dodik, aktualisht duke shërbyer si anëtar serb i presidencës së vendit, shprehu mbështetjen e tij të fortë. Aspak befasi: Ai ka thënë të njëjtën gjë për një kohë të gjatë.

Më në fund, po për Rusinë? Ku është lidhja e përzemërt midis Evropës dhe Rusisë për të cilën ai vazhdon t’i bjerë fyellit? Duke pasur parasysh mosrespektimin e presidentit rus Vladimir Putin për të drejtat e njeriut dhe të prirjen për konflikt të armatosur, kjo është mjaft e vështirë për t’u gjetur për momentin. Mbase Macron po mendon në terma civilizues të mëdha? Në mendjen e tij: një botë e gjerë e krishterë që shtrihet nga Lisbona në Vladivostok përballë civilizimeve konkurruese të përfaqësuara nga Kina, India dhe, më afër shtëpisë, Islami.

Macron nuk është një islamofob vulgare – ka shumë të atillë në Francë- por ai duket gjithnjë e më i bindur se Evropa është në rrezik të përvetësohet nga Islami dhe kështu duhet të mbyllë derën për Turqinë, “të rrezikshmen” Bosnje-Hercegovinë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe të rehatohet me Rusinë e krishterë. Ai sigurisht që nuk dëshiron të pranojë një zë musliman dhe një veto myslimane në dhomat ekskluzive të Këshillit Evropian.

Ndoshta Macron nuk beson më se Islami mund të asimilohet dhe perspektiva e një komuniteti të madh musliman të pa-asimiluar e frikëson atë më shumë se gjithçka tjetër. Kjo është sigurisht një mundësi. Kohët e fundit ai dha një intervistë për një revistë të ekstremit të djathtë, në të cilën përmendi rastin e një gruaje të mbuluar me velo të poshtëruar në publik nga një politikan nacionalist dhe nuk arriti të shfaqë simpati për të.

Ose mbase Macron po nxitet nga politika e brendshme përpara një raundi tjetër të zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm. Ndoshta Franca tani është aq e prirur në të djathtë për çështjen e Islamit sa që Macron ndihet i tunduar – ose i detyruar – të ecë me rrymën.

Mjerisht, Islamofobia, pa marrë parasysh sa filozofike, e kulturuar apo strategjike, është thjeshtë e vetëm islamofobi.

*Bruno Maçães, një ish-ministër i Evropës për Portugalinë, është një këshilltar i lartë në Flint Global në Londër dhe një bashkëpunëtor jorezident në Institutin Hudson në Uashington. Libri i tij “Agimi i Eurazisë” u botua nga shtëpia botuese “Penguin” vitin e kaluar.

Politico – Përgatiti në shqip për TemA, Kebriona Veliaj

Back to top button
LAJMET E FUNDIT