Tender i ri për Syrin e Kaltër/ Ministria e Mjedisit kërkon një plan të ri menaxhimi

Një ditë pasi Ministria e Financave anuloi dhënien me qira të Syrit të Kaltër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur një tender për hartimin e planit të menaxhimit për këtë monument natyre.
Sipas thirrjes së shpallur në agjencinë e prokurimeve publike, plani i menaxhimit për Syrin e Kaltër duhet të mbulojë të gjitha aspektet përfshirë ato natyrore, ekonomike por edhe sociale për 10 vitet e ardhshme. Ndërkohë që ankandi është I anuluar, kjo gjë është bërë pa patur më parë një plan menaxhimi të kësaj pasurie të madhe natyrore në administrim të Ministrisë së Mjedisit.
Kompania private që do të shpallet fituese duhet të hartojë një plan të detajuar operacional me informacion të përditësuar për zonën e mbrojtur dhe të japë sugjerimet se si duhet të menaxhohet kjo zonë, përfshirë aktivitetet ekonomike e lejuara dhe buxhetin e kërkuar.