Zbulohen detaje të operacionit për fëmijët shqiptarë në kampin sirian të Al-Hol

Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të kthyer në Shqipëri gratë dhe fëmijët, që gjenden në kampin e Al-Hol, të cilët janë në proces identifikimi. Sipas shifrave zyrtare janë identifikuar deri tani të paktën 28 fëmijë shqiptarë.
“Shqipëria ka vendosur kontakte gjatë muajve qershor dhe korrik. Në fund të muajit gusht u diskutua një operacion i mundshëm riatdhesimi. Por situata në terren ndryshoi. Operacioni ngriu. Shtetet e Bashkiara të Amerikës u tërhoqën dhe në terren ka një situatë të re gjeopolitike” – tha Elisa Spiropali në emër të Qeverisë shqiptare, në interpelancë parlamentare të zhvilluar të enjten e kaluar.
Nga 1 mijë individë nga Ballkani perëndimor në atë zonë, rreth 400 prej tyre janë kthyer nëpër vendet e tyre, duke e bërë këtë rajonin me përqëndrimin më të madh të luftëtarëve të huaj në Europë – tha zonja Spiropali.
Shumë prej shqiptarëve udhëtuan pa dokumente dhe kaluan kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndaj sipas saj, identifikimi i plotë dhe përfundimi i operacionit është një punë e vështirë prej mungesës së institucioneve homologe, sepse janë zhdukur dokumentet shqiptare dhe janë pajisur me dokumenta të Kalifatit, të cilat edhe këto janë grisur tanimë për të mos u identifikuar ISIS.
Shteti shqiptar po bën gjithçka është e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët nga ato kampe. Këto territore kontrollohen nga struktura paramilitare dhe nuk u binden rregullave ndërkombëtare për lirimin e personave apo shkëmbimin e robërve. Në situatën e rindezuar, hapat operacionalë nuk mund të bëhen kurrsesi publike, sepse do të rrezikohej jeta e atyre personave, duke zbuluar identitetin e tyre – thonë zyrtarisht burime nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Bëhet e ditur se midis tyre ka edhe fëmijë shqiptarë të lindur në zonën e konfliktit, por numri i tyre nuk mund të konfirmohet.