Kryeministri, urim shqiptarëve për Vitin e Ri: Sot jemi më të fortë se para tërmetit

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2020, në një video-mesazh shpërndarë në rrjetet sociale, ku nuk mund të ndodhte ndryshe: Kryefjalë e urimit të tij ishte tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit me 51 viktima e qindra të plagosur dhe ringritja pas tij përmes rindërtimit. Mrekulli nga dora e Zotit ishte për kryeministrin Edi Rama fakti që tërmeti tragjik nuk shkaktoi një bilanc edhë më të përgjakshëm, e po ashtu ishte edhe mrekulli e miqve që iu gjendën Shqipërisë në ditë të vështira.

Rama tha se ky tërmet, mes dhimbjes që la pas, shënon edhe një mundësi të artë për një fillim të ri.

Energjia pozitive që gjeneroi pas tërmetit, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam, tha Rama. “Nuk duhet ta humbim këtë momentum të ri për të kapitalizuar rilindjen ekonomike e sociale që ka prodhuar ky fundvit dramatik, nuk kemi kohë për të humbur, duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë çdo punë që nuk dihet lënë më për nesër”, u shpreh shefi i mazhorancës.

Brenda 2020-ës kush ka humbur shtëpinë do hyjë në shtëpi të re. Deri në gjysmën e  parë të vitit 2020, duhet të jënë hapur kantieret e lagjeve të reja. Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionet të ndërtohen nga e para deri në shtator, theksoi Rama.

“Fëmijët e shkollave të rrënuara duhet ta nisin  mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se ato që kishin para tërmetit”, tha ai.

2020-a për shefin e mazhorancës duhet të shënojë edhe një vit kthese historike sa i përket shërbimeve për qytetarët, ku nga janari nis të zbatohet blloku i parë i shërbimeve që merren në rrugë dixhitale.

Për kreun e qeverisë, shqiptarët kaluan edhe një tërmet psikologji, që ishte ai i refuzimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Everopian. “Tërmet psikologjik mbi shoqërinë e lidhur me ëndrrën evropiane”, e quajti Rama.

Por një tërmet i vërtetë pritet të jetë ai i janarit për të gjithë ata që Rama i quan të fortët e pandëshkuar që me karshillëkun e tyre në shoqëri kanë nxirë imazhin e vendit në sytë e botës. E këtu i referohet paketës ligjore Anti-KÇK që pritet të marrë jetë nga janari duke goditur pasuritë e personazheve të njohur të botës së krimit që në aleancë me sektorë të drejtësisë, veçanërisht prokurorët që Rama i etiketoi “Kap çfarë të kapësh” deri sa të ‘ngecin’ në vetting, ja kanë dalë të mos ndëshkohen.

“Tërmeti i shtetit do të bjerë fort në themelet e asaj bote, me operacione policore e çështje gjyqësore me të fortë që i bëjnë karshillëk shoqërisë dhe këtij vendi që nuk e meiriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e mbarë botës”, tha Rama.

“Gëzuar Vitin e Ri 2020! Ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, thotë kreu i qeverisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT