Të mbijetuarit e Thumanës: S’dalim nga hotelet, vetëm nëse shteti ndërhyn me shkop gome

Banorët e Thumanës që i mbijetuan tërmetit dhe ndodhen në hotelet e Shëngjinit kanë dalë me një vendim. Ata nuk do të lënë hotelet siç ju kërkuan përfaqësuesit e Bashkisë së Krujës në 3 janar.

Kujtojmë këtu se ditën e shtunë ata nuk firmosën as dokumetet për marrjen e bonusit të strehimit dhe kërkojnë që Bashkia të jetë më e përgjegjshme në vendimet që merr.

“ABC News” bisedoi me disa prej tyre të cilët u shprehën se do të largohen vetëm nëse shteti përdor dhunë. Ata sqarojnë se janë interesuar për banesa me qira dhe bonusi i caktuar nuk përputhet me vlerën e tregut.

“Jemi 349 vetë nga Thumana, nuk dalim nga hoteli pa një vendim Bashkie”, shprehen nje banor.

“Vetëm nëse na nxjerr policia me shkopa gome do dalim”, thotë një tjetër.

Banorët e Thumanës sqarojnë se gjetja e një shtëpie me qira është e vështirë për sa kohë që çmimet janë rritur dhe vlera e bonusit nuk përputhet.

“Pronarët e dinë se ka rënë tërmeti, por i kanë rritur çmimet”, thonë ata.

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve që prej më shumë se një muaj janë vendosur në hotelet e Shëngjinit janë nga Thumana.

Ata kanë jetuar tek pallatet që u shëmbën totalisht ose pranë tyre. Disa madje kanë lidhje gjaku dhe me viktimat dhe janë ende të tronditur. Tani duhet të përballen dhe me dalje në rrugë, pasi vendimin e qeverisë për marrjen e bonusit e kanë kundërshtuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT