VIDEO: Si u deportua gylenisti Harun Çelik nga Rinasi drejt Turqisë

Mediat turke kanë bërë publike video të deportimit të shtetasit turk Harun Çelik, largim që ka ngjallur debat ndërkombëtar, pasi Çelik konsiderohej si kundërshtar i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan dhe mbështetës i Lëvizjes Feto, të Abdullah Gylen. Në videon e xhiruar nga miq të Çelik në Tiranë, duket furgoni i blinduar i policisë teksa dërgon në aeroportin e Rinasit shtetasin turk.
Sipas policisë shqiptare, ndaj këtij shtetasi janë kryer procedurat për ta larguar nga Shqipëria, sapo ai kishte përfunduar një dënim, që mori në Tiranë. Ky shtetas ishte i dënuar dhe para dy ditësh doli nga burgu. «Ai është kapur me dokumenta false në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua.
Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”, tha policia, e cila nuk saktësoi nëse Harun Çelik kishte kërkuar apo jo strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi. Harun Çelik, 42 vjeç, punonte në Shqipëri si mësues. Ai njihej si pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, ndërsa u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.
Ndërkaq vendimi i autoriteteve shqiptare për të dëbuar mësuesin turk, është gjykuar ashpër nga eurodeputetja Ramona Strugariu. Ajo kritikoi qeverinë shqiptare përmes një statusi në Tëitter dhe i kujton kryeministrit Edi Rama ligjin ndërkombëtar që siguron mos ekstradimin e Harun Celikut në Turqi.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkruan eurodeputetja.