BB: Ç’ndodh nëse masat nuk hiqen deri në fund të gushtit

Gjashtë vendet e rajoni të Ballkanit Perëndimor pritet të bien në recession këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Këtë tregon raporti i fundit dhe shqetësues i Bankës Botërore, ku tregon situatën ekonomike dhe parashikimet më tej.
Në rastin e vendit tonë, thuhet se krahas pandemisë së virusit, edhe tërmeti i nëntorit ka ndikuar ndjeshëm.
Parashikimet për Shqipërinë janë që të mund të ketë një rritje ekonomike nga -5 në -7 %. Ndërsa në tërësi për Ballkanin Perëndimor mund të jetë nga -3 në -5.6 %.
Sipas Bankës Botërore, nëse pandemia ngadalësohet dhe masat e kufizimit hiqen në fundin e qershorit, ekonomia mund të marrë veten në gjysmën e dytë të vitit.
Por nëse pandemia zgjat dhe kufizimet nuk hiqen si pasojë e situatës deri në fund të gushtit, rimëkëmbja e ekonomisë do të shihet vetëm në tremujorin e fundit të vitit.

Për shkak të pandemisë, në gjithë rajonin ka ënë kërkesa e brendshme dhe e jashtme, duke sjellë dëmtim të prodhimit dhe investimet, ndërsa kufizimi i udhëtimeve ka ndikuar mbi turizmin dhe shërbimet që ofrohen.
Megjithatë, raporti i Bankës Botërore thekson se recesioni i Ballkanit do të varet nga shkalla e recesionit në Europë.
Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar me politika fiskale dhe monetare. Borxhi publik në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende i lartë. Po ashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë”, thuhet në raportin e zbardhur nga VOA.
Edhe nëse veprimtaria ekonomike mund të rinisë në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind.
Banka Botërore thotë se kriza aktuale shëndetësore ka zbehur ndjeshëm perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Ekonomia mund të ndikohet prej ndërprerjeve në zinxhirin global të furnizimit si dhe pakësimit të vendeve të reja të punës për shkak të karantinës dhe distancimit social.
Një tjetër efekt negativ mund të jetë ulja e fitimeve nga puna e punëtorëve, veçanërisht në sektorët më të prekur, si turizmi dhe hoteleria, prodhimi dhe tregtia e artikujve jo jetik.
Ndërprerjet e tregtisë dhe ngurrimi i investitorëve të huaj ndaj rrezikut pritet ta shtojnë presionin ndaj Shqipërisë. Ajo ka lidhje të ngushta me ekonominë e Italisë, vendi më i prekur në BE. Shqipëria nis drejt Italisë afro gjysmën e eksporteve kombëtare dhe në tërësi ka me vendet e BE-së rreth 95 për qind të eksporteve.
Kështu që, me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme ndaj Shqipërisë të jenë të larta.