Efektet psikologjike të karantinës, ja kush po “vuan” më shumë!

Gjendemi përballë një situate të jashtëzakonshme, që nisi si një infeksion viral në një provincë të Kinës në fund të 2019-s, por që më pas u kthye në një pandemi duke alarmuar të gjithë botën. Përhapja e Covid-19 ka detyruar pjesën më të madhe të botës të jetë në një karantinë të detyrueshme.
U bënë shumë ditë tashmë të kaluara në izolim, por si ka ndikuar ky izolim në jetën tonë? Le të mendojmë sesa shumë shkaqe shqetësuese janë prezent në jetën tonë prej disa ditësh: Kërcënimi ndaj ekzistencës tonë, humbje jetë njerëzish, të afërm të infektuar, për shumë njerëz humbje të vendit të punës, falimentim biznesesh, rritje e izolimit social, vetmisë, shqetësimeve për shëndetin, rritje e ankthit dhe rënies ekonomike, etj. Si pasojë, ekzistojnë të gjitha provat për përkeqësimin e mirëqenies tonë mendore dhe shëndetit.
Efektet psikologjike të shkaktuara nga Karantina
Të paktën në Shqipëri, ne jemi fokusuar plotësisht tek larja e duarve, higjiena personale, higjiena orale, distanca fizike dhe sociale, dietë të përmirësuar ushqimi, ndërkohë higjienën mendore e kemi anashkaluar komplet. Kjo për shqiptarët nuk është diçka e re, pasi kur bëhet fjalë për shëndetin mendor, ne gjithmonë reagojmë me vonesë. Kështu, ne kemi neglizhuar një sërë problemesh dhe efektesh psikologjike, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe me pasoja për mirëfunksionimin tonë normal. Ne i dëgjojmë vazhdimisht si terma të përdorura çdo ditë nga ekspertët, edhe i përjetojmë, edhe kemi raste nga familjarët apo të afërmit që i kanë vuajtur ato, dhe ne përsëri nuk tregojmë interesin për t’i njohur apo mësuar më shumë për to, pa lëre pastaj për t’u përpjekur për t’i parandaluar.
Gjendja pandemike ndikon tek shëndeti mendor i gjithsecilit, por të gjithë reagojnë në forma të ndryshme. Reagimet mund të ndikohen nga shumë faktorë, si përshembull shkalla e ekspozimit ndaj epidemisë, mbështetja e ofruar nga njerëzit, mosha, shëndeti fizik, ngjarjet e mëparshme stresuese, çrregullimet mendore, etj.
Cila do të jetë forma apo intensiteti i reagimeve, e sigurtë është se të githë prekemi psikologjikisht nga pasojat e izolimit. Prandaj mund të themi se pasojat më të zakonshme të një traume individuale ose kolektive, përveç atyre ekonomike dhe sociale, janë ato fiziologjike, emocionale dhe psikologjike, të cilat mund të jenë: Ankth (një armik ky i hasur dendur në shoqëri jo vetëm në kohë pandemie, por duhet theksuar që është i mundimshëm, por jo i rrezikshëm.
Efekte të tjera janë frikë, lodhje emocionale, panik, makthe, kriza nervore, dhimbje të muskujve, rritje të shpeshtë të rrahjeve të zemrës, tension muskulor, vështirësi në përqëndrim, humbje të besimit, ndjenja faji, pashpresmëri, zemërim, mërzitje, konfuzion, irritim, shqetësimi për të ardhmen, izolim social, humbje interesi për aktivitete, ulje të kreativitetit, ndryshime në oreks dhe rritje, ose humbje peshe, përdorim i shtuar i alkoolit, duhanit ose drograve të tjera, stres postraumatik, çrregullime të humorit, pagjumësi, ose hiperinsomnia, acarim i marrëdhënieve, zhgënjim, agresion, mosbesim, depresion, agjitacion,etj. Kombinimi i këtyre simptomave është shumë i zakonshëm në shumë njerëz në këto kohë karantine.
Personat më të rriskuar, tek të cilët efektet psikologjike do të jenë më të mëdha, mendoj se janë: Punonjësit e kujdesit shëndetësor, familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe të të infektuarve, të moshuarit, njerëzit që kanë një sistem më të dobët imuniteti, personat që janë më të ndjeshëm nga prekja prej depresionit dhe trishtimit.
Tek personat që vuajnë nga çrregullimet e ankthit, gjatë kësaj kohe mund të kenë më shpesh simptoma fizike, si: dridhje, djersitje, marrje mendsh, rrahje të shpejta të zemrës, etj.
Të rriskuar më tepër në këtë periudhë janë edhe personat ekstravertë, të cilët janë të mësuar gjatë gjithë kohës në aktivitet.
Në risk të shtuar janë edhe personat që kanë histori të problemeve të shëndetit mendor, përshembull, personat me çrregullimin obsesiv-kompulsiv, tek të cilët shprehia e pastrimit të rregullt të duarve mund të ndikojë negativisht. Ky çrregullim i ankthit përcillet me ndjesi dhe mendime të pakëndëshme, të cilat shkaktojnë ankth e që për pasojë i shtyjnë individët të bëjnë veprime të caktuara në mënyrë të përsëritshme. Një nga këto veprime kompulsive mund të jetë larja e shpeshtë e duarve për t’i ikur rrezikut nga infektimi. Këta persona veçse janë të preukupuar me këto shqetësime dhe tani kur të gjithë flasin dhe i shohin duke bërë një veprim të caktuar, kjo mundet me e rëndu gjendjen emocionale të tyre edhe më shumë.
Duke qenë se jemi një vend i vogël, në një rrafsh më të përgjithshëm, Shqipëria është më e ndjeshme ndaj situatave të tilla të krizës, si pasojë e traumës psikologjike nga ngjarjet e tërmetit të shtatorit dhe nëntorit të kaluar, që kanë lënë mjaft pasoja në të gjitha drejtimet dhe të gjitha të patrajtuara ende.
Fjala traumë do të thotë plagë dhe plagët nuk shërohen lehtë, sidomos ato me natyrë psikologjike, e aq më tepër kur e ke ndërkohë një tjetër, tjetra të mundon shumë më shumë, sepse ndjeshmëria e dhimbjes është më e madhe.
Në rastin e pandemisë, për të kuptuar përjetimin emocional të shqiptarëve, do duhet të mendojmë dhe analizojmë me kujdes, duke bërë lidhjen e traumës së shkaktuar nga tërmeti. Me ardhjen e Koronavirusit kemi një mbivendosje të traumave, e të mendojmë se që para pak ditësh shtëpia për shumë njerëz ishte vendi më i pasigurtë, sidomos për fëmijët dhe pas shumë pak kohe fatkeqësia tjetër natyrore na thotë “rrini në shtëpi, sepse aty është vendi më i sigurtë për jetët tuaja”. Çfarë konfuzioni mendor, sa e vështirë të përballosh me sukses në një kohë kaq të shkurtër këta të dy armiq, ku njëri të thotë “dil jashtë dhe tjetri të thotë qëndro brenda”.
Shumë ekspertë të fushës shprehen që ky izolim do t’u shkaktojë qytetarëve më shumë dëme se vetë virusi. Ndaj mos harroni se ndihma psikologjike është themelore për të kapërcyer çdo situatë të vështirë në jeten tuaj. Personat që marrin ndihmë tek specialisti i shëndetit mendor (psikologu), theksoj këtu “në kohën e duhur”, rrallë zhvillojnë çrregullime të rënda mendore.
Nga përvoja e njerëzimit, çdo pasojë dhe humbje mund të rimëkëmbet ose fitohet, por kur bëhët fjalë për probleme të thella të shëndetit mendor, pikëpyetja dhe investimi janë shumë të mëdha. Mendoj se në këtë situatë ka mjaft kuptim shprehja: “Unë nuk mund të ndryshoj drejtimin e erës, por mund të rregulloj velat e anijes time, për të arritur gjithmonë në destnacionin tim.” (Jimmi Dean).
Vlen shumë për t’u përshendetur gadishmëria e psikologëve shqiptarë për të ofruar asistencë psikologjike online pa pagesë, ku të organizuar dhe koordinuar nga Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqiperisë, prej më shumë se një muaji në të gjithë Shqipërinë vazhdojnë shërbimin. Andaj shfrytëzoni mundësinë që të parandaloni, dhe të mos keni nevojë më vonë ndoshta të investoni më shumë në mbrojtjen e shëndetit mendor!
