I “DASHUR” HAJDUT!

Nga Viktor Malaj

I “dashur” hajdut!

Meqë shumica e njerëzve këtej nga anët tona të kanë shumë për zemër, të respektojnë, të lartësojnë dhe konsiderojnë “VIP”, të japin edhe pushtet politik pasi atë ekonomik e ke “fituar” me zotësi, po i bashkohem edhe unë kësaj shumice, sa për sy e faqe. Madje, po të thërras “i dashur”, megjithëse nuk dua të të shoh me sy dhe as të të dëgjoj emrin.

Emri yt i gjendjes civile nuk ka fare rëndësi. Ai mund të jetë Ilir, Fatmir, Lulzim, Arben, Shkëlzen, Amarbër,,Ardian, Ridvan, Damian etj.etj. Këta emra i mbajnë edhe mijëra shqiptarë të tjerë, por thuajse askush s’i njeh dhe as i nderon. Ajo që të dallon ty nga të tjerët dhe të bën “të dashur” për publikun, që të bën pjesë të elitës që, më vonë, do të konsiderohesh dhe shpallesh me “gjak blu”, domethënë mbi ne të tjerët dhe më i mirë se ne, është fakti se ti je hajdut.

Viti 1990 na gjeti të gjithëve njëlloj, por sot ne jemi të ndarë në shtresa e klasa me një largësi nga njëra-tjetra aq sa Toka nga Dielli. Kjo largësi e krijuar është meritë e jotja. Si i zgjuar, finok dhe i paskrupullt, ti i kuptove dhe zbatove më shpejt dhe më mirë “rregullat” e Ekonomisë së Tregut, të atij tregu që e ngrite vetë, i diktove dhe i dikton rregullat e lojës, lojës ku ti del gjithmonë i fituar. Kur e sheh se fitimet e tua po pakësohen apo rrezikohen, atëherë ti vë në punë propagandën me të cilën na bind se për prapambetjen tonë e kemi vetë fajin, ngaqë po të ishim si ti do të ishim atje ku je ti. Mirëpo, meqë atje ku je ti nuk ka vend për të gjithë, por vetëm për një pakicë, ne shumica e paaftë dhe e pazonja duhet të rrimë këtu poshtë dhe të kemi “nderin” dhe “privilegjin” të të vështrojmë, admirojmë dhe respektojmë ty dhe, madje, t’i shërbejmë me përkushtim dhe pa mëdyshje pozitës tënde hyjnore.

Dikur, fushat, pyjet, minierat, fabrikat etj. ishin tonat dhe ti, njëlloj si ne, punoje për zhvillimin e tyre dhe sigurimin e jetesës modeste. Tani, ato janë të tuat dhe ne punojmë ditë e natë në mënyrë që familjet tona të mbijetojnë, ndërsa ti dhe familjarët e tu të notojë në pasuri, bollëk e qejf pa pasur nevojë fare të punojnë. E, pse duhet të punosh ti?! Ti ke lindur për të bërë qejf, për të urdhëruar, qeverisur e sunduar, për t’u bërë biznesmen, anëtar qeverie apo kryetar OJQ-sh.

Ti e shton përditë pasurinë dhe kështu ke ndikimin që të duhet mbi qeverinë e radhës. Nëse e sheh se ndikimi që ke nga jashtë nuk ia ul vrullin oreksit tënd të pashuar, atëherë ti bëhesh deputet, ministër, kryeministër apo President dhe çfarë s’e merrje dot nga jashtë, e siguron tani nga brenda. Meqënëse nuk je i vetëm në urinë, lakminë dhe pafytyrësinë tënde, ke vepruar me mend duke shpikur ndarjen në grupe të të gjithë sivëllezërve të tu dhe duke na ftuar ne të padenjtë e shumtë t’i zgjidhim mosmarrëveshjet e grupeve tuaj të uritur nëpërmjet sistemit pluralist të votimeve.

Sapo grupi yt që quhet parti vjen në pushtet i vihet punës me përkushtim të sillet njëlloj si grupimi kundërshtar të cilin ti na bëre thirrje ta shporrnim me votime si “qytetarë të lirë” që jemi. Sapo ne të zemërohemi me ty, kemi fatin dhe mundësinë të shfrytëzojmë lirinë e dhuruar dhe të rikthejmë në pushtet sërish ata që sikterisëm dikur, sepse tani ata janë rinovuar dhe nuk janë më ata që ishin. Kështu që zemërimi ynë zbutet dhe hakmarrja venitet, sepse, siç thonë rëndom e gjithandej, një popull i qytetëruar nuk hakmerret ndaj hajdutëve dhe dhunuesve të vet. Thjesht zëvendëson një grup me një tjetër dhe përsëritjen e këtij cikli e quan demokraci, domethënë sundim të vetë popullit. Pra, ndërrohen lojtarët por jo loja.

I “dashur” hajdut!

Duke qenë i zgjuar ke arritur të na bindësh se fitimin nuk duhet ta ndash asnjëherë me të tjerët, kurse humbjen, fatkeqësinë, tragjedinë, rrënimin duhet t’i ndash me të gjithë të tjerët prandaj edhe bën thirrje për solidaritet. Ky është shkaku që, pas të gjitha krizave botërore dhe kombëtare, ti del gjithmonë i fituar ndërsa ne, kush më shumë e kush më pak, kemi humbur diçka, në mos gjithçka.

Tani që jetojmë në kushtet e pandemisë së virusit COVID-19 ti na bën thirrje që “Nëse duhet ta përballojmë të gjithë bashkë krizën duhet të marrim përsipër dhe të ndajmë barrën e saj”. Po, ku ishe deri dje i “dashur” hajdut, kur ekonomia ecte mirë dhe sivëllezërit e tu i shtuan dhjetëra miliona euro llogarisë së tyre bankare? Pse nuk na ftove atëherë ta “ndanim barrën” e prosperitetit së bashku, meqë kontributi ynë në produktin e përgjithshëm ishte vendimtar? Unë jam punëtor që punoj 200-300 orë në muaj dhe paguhem 30 mijë lekë, ose njëqind lekë në orë, ndërsa bosi im hajdut arkëton njëqind mijë euro në muaj dhe, tani ti më kërkon mua të të jap ty 10% të pagës time të mjerë si kontribut për daljen nga kriza! Heqja e atij 10% mua më lë njërin nga fëmijët pa ushqim e veshmbathje ose nënën e moshuar pa ilaçe. Pse nuk ia merr 10% të fitimit bosit tim i cili, edhe pas kësaj, do të jetonte sërish në vila luksoze dhe do të pushonte në hotele me pesë yje? Dikush është pensionist dhe, për 40 vjet i ka kontribuuar buxhetit të shtetit që t’i japë pensionin për të jetuar dhe shpëtuar nga viruset, krizat që ata shkaktojnë. Pse ky i shkretë pensionist duhet të japë përsëri edhe tani, për të “mëkëmbur ekonominë”, në kushtet që, ashtu si unë, është i zhveshur nga prona dhe mjetet e prodhimit sepse ia ke marrë ti dhe sivëllezërit e tu? Ekonomia është juaja dhe ju takon juve ta shpëtoni atë!

Nëse nuk e dini ku t’i merrni paratë, pasi “secili vend sheh hallin e vet”, drejtojuni milionerëve dhe miliarderëve të Shqipërisë, merruni atyre vetëm parmakët e gjerdheve me të cilët rrethojnë vilat dhe pasuritë e panumërta, gjeni dhe mblidhni qindra milionë euro që administratat e qeverisjeve tuaja i shpërdorojnë çdo vit, hiqni dorë nga shumica e tenderave, konçesioneve dhe PPP-ve, madje i bëni thirrje edhe sivëllait tuaj, tani kryetar opozite, t’i kthejë buxhetit të shtetit 230 milion euro që i pati “tretur” dikur, dhe do të shihni se kriza do të kalohet. Kalimi i krizës mund të bëhet duke “gërvishtur” fare pak vëllezërit tuaj hajdute, pa na kërrusur ne shërbëtorëve kryqethyer. Kërkoja ca para edhe hajdutit Fatmir që dikur e shporrëm nga pushteti si të tillë dhe tani bën thirrje që ” Opozita duhet të ndërtojë një kauzë morale bazuar mbi të mirën, të ndershmen, shtetin e qytetarëve. “. Ti na thua se ” mungesa e të ardhurave fiskale nga mosarkëtimi i taksës mbi dividendin është më pak e ndjeshme se financimi buxhetor i ‘ pagave të luftës ‘ “. S’ka gjë ! Ktheje edhe taksën mbi dividendin sepse ajo është e pandjeshme edhe për barkun buxhetor gjithmonë të pangishëm të hajdutëve tanë ” të ndershëm ” ! Në fund të fundit, kështu na mundëson që edhe ne të marrim sadopak nga puna jonë e papaguar apo keqpaguar.

Ti ankohesh pse kriza e viteve 2008-2009 solli rrënimin e socialdemokracisë në Evropë dhe thellimin e pabarazisë ekonomike, por unë, pa qenë akademik, të siguroj se krizën e kanë shkaktuar vetë hajdutët, pabarazinë e kanë krijuar dhe thelluar vetë hajdutët dhe se e ashtëquajtura “socialdemokraci” nuk është gjë tjetër veçse elita e korruptuar e sistemit e cila shpall dhe trumbeton luftën për ngushtim të pabarazisë dhe rivendosje të drejtësisë sociale. Ndërkohë që vetë ajo, socialdemokracia, lufton dhe synon të jetojë njëlloj si oligarkia.

Ne nuk kemi nevojë të na shpëtoni nga kriza e mjerimit. Na lini në mjerimin dhe hidhërimin tonë, po kujdesuni të shpëtoni veten, se mund të vijë një ditë që barrëmbajtësit e vërtetë të krizës të zgjohen nga gjumi letargjik, t’ua marrin shkëlqimin e pamerituar të siguruar me padrejtësi të pafundme dhe, madje, t’ju dërgojnë në hapsanë. E di se atëherë ju do të vetëshpalleni “të përndjekur”, por ky shark mund të mos ju bëjë derman. Kjo gjë sot duket qesharake dhe e pamundur, por as koronavirusin s’ka mundur kush ta parashikojë me kaq shumë kurora mbi kokë. Sidoqoftë, kohë keni dhe unë besoj se do ia dilni mbanë, siç ia kanë dalë prej shekujsh sivëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.

Kështu pra, i “dashur” hajdut, përpiqu të gjesh zgjidhje të tjera dhe mos na rip se, fundja, pa ne të dhunuarit, grabiturit dhe të shtypurit nuk është e mundur as ekzistenca dhe jetëgjatësia jote.

Të paktën, mendo për vete, siç ke bërë me përkushtim deri tani.

*****

Botuar në DITA. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT