Ndodh edhe kjo: Shoferi i infektuar refuzon të tregojë kontaktet

Një vatër e re e infeksionit është regjistruar në qytetin e Elbasanit!
Eshtë konfirmuar pozitiv me COVID-19 një shofer që transportonte punonjëset në një fasoneri dhe bashkëshortja e tij, e cila është shtëpiake.
Konfirmimi i këtij rasti, shton dyshime se ka të prekur të tjerë me koronavirus në këtë fasoneri, ndonëse nuk dihet ende zyrtarisht.
Mësohet se shoferi ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritete për të treguar kontaktet që ka pasur nga ku mund të mësohet se nga ka marrë virusin, apo personat e tjerë që mund të ketë infektuar.
Fasoneritë janë shndërruar në vatra të rrezikshme të përhapjes së COVID-19, siç është rasti i Krujës ku janë prekur dhjetëra punonjëse.
Deri më tani zyrtarisht Ministria e shëndetësisë ka konfirmuar 16 raste me COVID-19, e ndërsa pritet që bilanci të rëndohet me dy rastet e reja të ditës së sotme.