Në emër të kujt flet Baton Haxhiu?

Nga Bedri Islami
Baton Haxhiu, figurë mediale e njohur e lidhur ngushtë me klanet e politikës në Kosovë dhe në Shqipëri, si eminencë gri e kryeministrit Rama dhe e presidentit Thaçi, ka bërë një deklaratë, e cila është tejet politike dhe absurde në thelbin e saj, por që nuk duhet trajtuar si e tillë.
Ai, në cilësinë e shpallur si këshilltar dhe njeri i afërt i zotit Rama, të cilin e shoqëron edhe në takime ndërkombëtare, si në Moskë, njeriu hije që qëndron edhe pas takimeve dhe bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, interlekutori primar për ndryshimin e kufijve dhe zëdhënësi i heshtur dhe i bujshëm në të njëjtën kohë i një vije që cenon rëndë interesat e kombit shqiptar, deklaroi se në këtë kohë, kanë mbetur si çështje të domosdoshme të hapura disa pika rëndese. Baton Haxhiu në televizionin T7, i cili duke treguar se çfarë elementesh duhet të përmbajë marrëveshja Kosovë – Serbi tha se duhet zhbërja e Gjykatës Speciale, amnistia e krimeve të luftës meqë, sipas tij, pas 20 viteve “s’kanë çka dënohen njerëzit” dhe, në fund, atë që ai e quajti definim i veriut.
Pyetja e parë është se kënd përfaqëson zoti Haxhiu: Veten, Ramën, Thaçin, një vijë ndryshe politike.
Nëse përfaqëson veten deklarata e tij nuk ka asnjë vlerë, por, duke u nisur nga lidhjet e mëhershme të Baton Haxhiut me struktura të larta drejtuese të shërbimit të fshehtë serb, pikërisht me drejtuesin e këtij shërbimi në kohën e luftës në Kosovë, ai, Batoni, ka marrë mbi vete diçka më shumë dhe që ka lidhje me një të shkuar enigmë, të rëndë dhe të zymtë.
Nëse ai ka folur duke pasur mendimin e zotit Rama, shefit të qeverisë shqiptare, kjo e rëndon edhe më shumë këtë gjë. Kjo e bën gjithçka edhe më të zymtë, më të rëndë e deri mizore. Shefi i shtetit shqiptar nuk ka as tagrin, as të drejtën të vendosë mbi fatin e kombit, e aq më pak të dëmtojë atë.
Nëse Batoni përfaqëson edhe mendimin politik të zotit Thaçi atëherë përgjegjësia bëhet edhe më e rëndë dhe presidenti i Kosovës duhet urgjentisht të distancohet nga deklarata të tilla. Ai, zoti Thaçi, disa ditë më parë ka deklaruar prerë se është kundër ndarjes së Kosovës, kundër shkëmbimit të territoreve, kundër krijimit të Asocionit të komunave me shumicë serbe, por është për përcaktimin përfundimtar të Kosovës.
A është zoti Thaçi në të njëjtin mendim me këshilltarin e heshtur të tij, zotin Haxhiu?
Batoni kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale. Në kushtet e tashme kjo do të ishte fundosja politike e Kosovës, pranimi de fakto se UÇK-ja ka bërë krime lufte dhe se të gjitha akuzat ndaj saj janë të vërteta.
Kjo do të ishte fundosje e vlerave të luftës çlirimtare.
Kosova, parlamenti i saj e ka miratuar vetë vendimin për krijimin e Gjykatës dhe cilido nga radhët e UÇK-së që është përfshirë individualisht në krime lufte, pavarësisht krimeve dhe gjakut të derdhur nga kriminelët serbë, duhet të përgjigjet.
Haxhiu nuk ka të drejtë të sjellë asnjë mendim për amnisti. Ai vetë nuk është dëmtuar nga lufta. Edhe një herë kur mendoji se mund të rrezikohet, bashkë me Veton Surroin shpallën vdekjen e tyre dhe u strukën.
Krimet serbe në Kosovë duhet të ndëshkohen ashpërsisht. Mijëra njerëz presin të drejtën dhe të vërtetën.
Aq më pak nuk ka të drejtë të bëjë definim të kufijve.
Por nuk më trazon mendimi i Haxhiut.
Më trazon heshtja e atyre që e kanë bërë pjesë në strukturave të tyre.
*****
Botuar në DITA. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit