Parku i Viroit: Natyra në harbim – Njeriu në ngujim (!?)

REPORTAZH, nga Engjëll SERJANI
A po na dërgon Natyra me pandeminë e koronavirusit një mesazh për krizën e vazhdueshme të grykësisë të njerëzimit ndaj mjedisit dhe planetit? Boll presione i ka bërë bota njerëzore botës natyrore. Dëmet ndaj planetit janë dëme ndaj vetë njeriut.
– Viroi, parku i parë natyror lokal në Shqipëri
Rreth tre kilometra në veriperëndim të qytetit të Gjirokastrës, anës rrugës kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, syri i udhëtarit befasohet nga Liqeni i Viroit.
Një liqen sa artificial, aq edhe natyror, me sipërfaqe ujore prej 17.5 hektarë. Baseni i tij ushqehet me ujë të kaltër nga Burimi i “Mëmës së Viroit”, që konsiderohet “Syri i Kaltër” i Gjirokastrës. Ndërsa funksionin e digës së liqenit, e kryen traseja 500-600 metra e rrugës kombëtare Gjirokastër-Tepelenë.
Perimetri rreth 3,2 km i bregut është i rrethuar nga një bimësi e pasur drunore, shkuresh dhe lulesh gjithfarë. Zona përreth brigjeve është e paisur më infrastrukturë të përshtatshme për një park; me trotuare, ndriçim, pistë të dedikuar për biçikleta, pistë vrapimi, kënde lojnash për fëmijë, fusha minifutbolli, basketbolli e voljebolli, teatër veror, hotele, lokale shërbimi restorande, kafe dhe bare.
Kjo zonë që ka nisur të ndërtohet qysh në vitin 1970. Fillimisht nisi hapja me punë vullnetare e kanalit të madh. Ka marrë statusin e një parku për argëtim e çlodhje në vitin 1982. Viroi është I pari mjedis me statusin e plotë të Parkut Lokal Natyror qysh prej vitit 2000. Një kombinim i shkëlqyer i shumëllojshmërisë së bimëve me vlera dekorative, aromatike dhe mjekësore, me dorën e njeriut nëpërpjet punës vullnetare dhe investimet publike.
– Viroi, krenaria e gjirokastritëve
Ekspertët thonë se në këtë mjedis natyror gjallon një pasuri e madhe, me rreth 250 specie bimore dhe 72 specie shtazore. Por “thesari” i vlerave është edhe burimi karstik i quajtur “Mëma e Viroit”. Nga ky burim natyror, i shpallur “Monument Natyre”, rrjedh uji i kaltër dhe i pastër si Kristal. Burimi mban “gjallë” liqenin.
Liqeni artificial i Viroit, është krenaria e Gjirokastrës. Gjirokastritët nuk janë kursyer kurrë për Viroin, as me investime publike, as me punë vullnetare. Viroi tradicionalisht ka shërbyer si një vend çlodhje për gjirokastritët, vend i shëtitjeve tradicionale, vrapimeve, festave, argëtimit edhe në ditë të zakonshme.
Në këto ditët pranvere Parku Natyror i Viroit, është kthyer në parajsë të vërtetë. Këtu gjithçka gëlon. Natyra është në gjendje “ekstaze”, në shpërthim të plotë. Parajsë e Natyrës, por vetëm për Natyrën! Prej një muaji këtu nuk shkel asnjë vizitor. Këmbë njeriu, nuk ka dhe sot. Nga fillimi i marsit, të gjitha restorantet, baret, kafet janë të mbyllura.
Konflikt natyrë-njeri
Vendi aq i preferuar për t’u vizituar dhe argëtuar, nga banorët e të gjitha moshave, nga vrapuesit, sportistët, nga turistët vendas dhe të huaj qëndron aty në dalje të qytetit. Askush nuk e preferon.
A është kjo gjëndje një dëshmi e gjallë e konflikti të hapur Natyre – Njeri?
Sot Parku Natyror i Viroit:
Ka një portë të madhe hyrëse, por aty nuk hyn dot njeriu.
Ka pranverë shumëngjyrshe, por nuk ka duar për verore.
Ka ujë që rrjedh, por nuk ka frymë njeriu.
Ka trotuare, por nuk ka hapa.
Ka cicërima, por nuk ka buzëqeshje.
Ka bretoka që këndojnë, por nuk ka njerëz që flasin.
Ka lodra, por nuk ka fëmijë.
Ka stola, por nuk ka të moshuar të ulur në to.
Ka lule shumë ngjyrëshe, por nuk ka vajza me fustane të bukura verore.
Ka pistë për biçikleta, por nuk ka çiklistë.
Ka fusha sporti, por nuk ka sportistë
Ka shpërthyer natyra, por heshtja njerëzore mbretëron.
Ka lejlekë, por ata qëndrojnë të heshtur tek foleja e ngritur sipër shtyllës të tensionit të lartë, nuk ka kush të vështrojë fluturimin e tyre.
Ka restorante, mandej dhe me emër OKSIGJENI, por nuk ka gojë për të ngrëne dhe frymorë që ta thither ajrin e pastër të këtij mjedisi përrallor
Këtë pranverë parajsa e gjelbër e Viroit, ngjan një sfidë mes Natyrës ndaj Njeriut.
A po na dërgon Natyra me pandeminë e koronavirusit një mesazh për krizën e vazhdueshme të grykësisë të njerëzimit ndaj mjedisit dhe planetit? Boll presione i ka bërë bota njerëzore botës natyrore. Dëmet ndaj planetit janë dëme ndaj vetë njeriut.
Shumë analistë dhe shkencëtarë sot mendojnë se, shpërthimi Covid-19 është një “goditje e qartë paralajmëruese”. Dëshmi se civilizimi i sotëm “po luante keq me zjarrin”.
Natyra e ka një mesazh
Mjafton një vizitë në këtë park, pa këmbë njeriu, një keto ditë të izolimit pandemic, për të kuptuar mesazhin e Natyrës. Njerzit këto mungojnë fizikisht, por ata janë prezent tek mbeturinat, shishet, ambalashet e hedhura andej këtej pakujdes. Mjafton të shikosh ish-godinën e rrënuar të elektropompave që dikur shuanin etjen e fushës pjellore të Valaresë. Mjafton të shikosh këto fusha djerrina, të pambjella, për të kuptuar se çfarë dëme i kemi bërë vetës.
“Pakujdesi” të parëndësishme në dukje, por nga ketej marrin udhë dëmet globale: vrima e ozonit, efekti serë, shpyllëzimet, çregullimet e biodiversitetit dhe të gjitha shkretimet e natyrës.
Cilësia e jetës në mbarë rruzullin, e tashmja dhe për më tepër e ardhmja, janë kompromentuar së tepërmi. Pavarësisht se flitet shumë për zhvllim të qëndrueshëm, bota është e kërcënuar nga vetvetja për shkak të sjelljes së keqe me natyrën.
Epidemia që të gjithë kanë rënë dakort ta konsiderojnë “luftë”, riktheu edhe një herë debatet e zjarrta për globalizmin.
Globalizimi, bota e ndërlidhur dhe ndërvarur, po i shkakton një stres të madh njerëzimit dhe qeverisjen globale. Natyra globale e mjedisit, kërkon një përkujdesje mjedisore globale. Shumë nga problemet e sotme, globale, kombëtare dhe vendore, bëhen pa gjetur zgjidhje të arsyeshme, me politika afatshkurtra, në shërbim të premtimeve elektorale, duke lënë pas pasojat e krizave humane, mjedisore, finaciare, shëndetësore, egzistenciale.
Mjedisi është trashëgimi globale. Qeveritarët, politikanët vendimmarrës nuk duhet të jenë vetëm monitories, por dhe tju japin përgjigje çështjeve të mjedisit. Koronavirusi na bindi se mjedisi nuk është i lidhur thjesht me zhvillimin ekonomik, por me vetë egzistencën njerëzore.
Shumë njerëz po pyesin nëse po përjetojmë ndërkohë fillimin e fundit të globalizmit? Pandemia e coronavirusit, koha kur nuk guxojmë të dalim nga shtëpia, të shëtisim, të shtrëngojmë duart, të përshëndetemi nuk na lë kohë të mendojmë gjatë. Sot thjesht na duhet të rezistojmë, por me siguri që refleksioni nuk do mungojë. Kufizimi i lirisë së lëvizjes, duket sot i justifikueshëm për arsye shëndetësore në kushtet e “luftës” së pandemisë. Por në një të ardhme Shengeni mund të konsiderohet si një “marrëveshje e vjetëruar”.
Është sjellja njerëzore që e bëri këtë sëmundje të përhapen në mbarë njerëzimin. Covid-19 është një “goditje paralajmëruese” dhe këtë e kupton fare mire, sot, këtu, në Parkun e Viroit, në këtë “harbim” të Natyrës dhe “ngujim” të Njeriut.
Gjirokastër, Parku i Viroit, Mars 2020